Erigers Mihasi,30-vjeçari i arrestuar dy ditë më parë në Tiranë për ngjarjen e grabitjes se dy prindërve të moshuar të Elton Çiços në Tepelenë, është identifikuar nga një gjurmë gishti, të fiksuar në mjetin tip “Audi”, të përdorur në këtë ngjarje kriminale të ndodhur në mars 2015. Kjo është prova kryesore e prokurorisë së Gjirokastrës kundër Mihasit, e cila ditën e sotme do kërkojë në gjykatë caktimin e masës së “arrestit në burg”. Gjurma e gishtit që e lidh Mihasin në këtë grabitje të shëmtuar të dy të moshuarve, është zbuluar në vazhdën e hetimeve që prokuroria dhe policia e Tiranës, po kryenin për masakrën e 4 tetorit 2018 të ndodhur në lokal “Monopol” në ish-bllok, ku u përplasën me armë dy grupe kriminale të Tiranës.
Për policinë kriminale, Mihasi konsiderohet si mik i Ervis Martinaj që tashmë ndodhet në paraburgimin 302 në Tiranë. ”Shqiptarja.com” mëson se pas masakrës në lokal, policia shoqëroi dhe pyeti disa persona që njihen, si lidhje e afërt me Ervis Martinaj. Një ndër këta persona është dhe Erigers Mihasi,të cilit pasi i është marë deklarimi në polici, oficerët i kanë marë dhe shënjat e gishtave me qëllim krahasimin e tyre me gjurmët e gishtave që kishin fiksuar ekspertët brenda lokalit “Monopol”, ku ndodhi masakra në të cilin dy persona mbetën të plagosur dhe Fabiol Gaxha mbeti i vrarë.
Asnjë nga këto gjurmë nuk doli që të kishte ngjashmëri me gjurmët krahasuese që i ishin marë Mihasit në Polici. Por çuditërisht aparati identifikues, skanoi një gjurmë gishti të njëjtë me atë të Erigers Mihasit,dhe kjo gjurmë e lidhte 30-vjeçarin me ngjarjen e ndodhur në mars 2015, në një fshat në Tepelenë,ku ishin grabitur me armë dy prindërit e Elton Çiços, Naim Çiço dhe bashkëshortja e këtij të fundit 60-vjeçare. Menjëherë pas këtij konstatimi është njoftuar prokuroria e Gjirokastrës e cila ka në hetim këtë çështje për akuzën e “Grabitjes me armë” kryer në bashkëpunim, “Armëmbajtje pa lejë” “Plagosje me dashje”.
Prokurori i çështjes Emëror Kasaj, është njohur me këtë rezultat të ngjashmërisë së gjurmëve të gishtave dhe për të qënë më i bindur mbi rezultatit të ngjashmërive të gjurmëve, ka kërkuar një ekspertim tjetër. Dhe rezultati ka qënë i njëjtë edhe për këtë rast. Nisur nga ky konstatim prokurori Kasaj ka urdhëruar policinë të arrestojë 30-vjeçarin Erigers Mihasi,si një nga autorët e dyshuar të grabitjes dhe dhunimit të prindërve të të ndjerit Elton Çiço.Arrestimi i Mihasit është kryer nga policia e kryeqytetit në zonën e Yrshekut, pa bërë asnjë rrezistencë nga ana e tij.Gjatë marjes në pyetje Mihasi ka mohuar në mënyrë kategorike implikimin e tij në këtë ngjarje kriminale të ndodhur në Mars 2015 në Tepelenë.
Ai ka pohuar se gjurma që është gjetur në mjetin “Audi” të sekuestruar tashmë nga policia, është fiksuar për shkak se në këtë makinë ai kishte hipur disa herë. Sipas të arrestuarit mjeti tip “Audi” me targa italiane përpara se të ndodhte ngjarja e grabitjes së dy të moshuarve, i përkiste Ervis Martinaj.Për shkak se Mihasi ka shoqëri me Martinaj, ai kishte hipur disa herë në këtë makinë, dhe padyshim kanë mbetur dhe gjurmë gishtash. Por vetë Martinaj që është pyetur nga policia për këtë ngjarje, është shprehur se makina tip “Audi” i përkiste atij, por ai dy apo tre ditë para ndodhjes së grabitjes së të moshuarve, ja kishte shitur mjetin Laçianit Robert Rama.
Ky i fundit mbeti i vrarë në 11 qershor 2015 gjatë një atentati në zonës e ish-Kënetës në Durrës, edhe pse ishte në kërkim nga policia e shtetit si i dyshuari kryesor për këtë grabitje. Policia e pati të vështirë të fokusohet në vetëm një pistë hetimi, për shkak të kaluarës problematike të Ramës. Në atë kohë u tha se Robert Rama mund të ishte vrarë nga ekzekutorë të paguar finaciarisht. 31-vjeçari nga Kurbini, ishte përfshirë në konflikte të shumta në qytete të ndryshme të vendit, si dhe ka kryer disa grabitje me armë e dhunë. Ai ndërronte vazhdimisht shtëpinë, për shkak se ishte person i shpallur në kërkim dhe gjithashtu kërkohej nga personat me të cilët ishte në hasmëri.
Gjurma e gishtit/ Masakra tek Blloku zbuloi grabitësin e prindërve të Elton Çiços në Tepelenë
Komento