DURRES-  Gjykata e Apelit në Durrës mori sot në shqyrtim masën e sigurisë në ngarkim të Fatmir Hoxhës, ish shoferit të komisarit Adem Tahiraj. Hoxha së bashku me efektivin tjetër të policisë Kastriot Gosturani ndodheshin së bashku me shefin e komisariatit të Shijakut pasditen e 13 shtatorit kur, ndodhi vrasja, pranë fshatit Katund Sukth, 12 km larg Durrësit.

Ndaj Fatmir Hoxhës gjykata e Apelit Durrësit mori masën e sigurisë arrest me burg, ndërkohë që pak ditë më parë po kjo gjykatë dha masën e sigursië “arrest shtëpie” për Gosturanin. Të dy akuzohen për shpërdorim detyre.

Pak ditë më parë Gjykata e Krimeve të Rënda ndau çështjen vrasjes së komisarit në dy pjesë. Ilir Xhakja do të gjykohej më vete nga kjo gjykatë, ndërsa për dy efektivët e policisë Fatmir Hoxha dhe Gosturani, gjykata shpalli moskompencën. Dosja u transferua për gjykim në Gjykatën e Shkallës së parë të Durrësit ku dhe u bë dhe rivlerësimi i masës së sigurisë, (pasi masa e sigurisë e marrë nga Gjykata e Krimeve të Rënda rrëzohet për shkak të moskompetencës). Sot Gjykata e Apelit Durrës shqyrtoi ankimin e shoferit, Fatmir Hoxha për masën e sigurisë me burg marrë nga gjykata e Durrësit.

Një javë më parë gjykata e Apelit në Durrës la në arrest shtëpi efektivin e policisë Kastriot Gosturani. Ata akuzohen për shpërdorim detyre, pasi nuk vepruan për të parandaluar vrasjen e Adem Tahirajt. Ndërsa në Gjykatën e Krimeve të Rënda vazhdon gjykimi ndaj Ilir Xhakes i cili akuzohet për vrasje me paramendim në rrethana cilësuese.

(sg/shqiptarja.com)