Ambasadorja e SHBA-së,Yuri Kim ka përshëndetur nisjen e punës së Gjykatës së Lartë, pas më shumë se një viti e bllokuar. Vullnetin e gjyqtarëve për të kryer detyrat e tyre me dosjet stok në këtë gjykatë, Kim e ka cilësuar efektive dhe thelbësore për zbatimin e reformës në drejtësi.

"Urime gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë për marrjen menjëherë përsipër të detyrave të tyre. Gjyqtarët po tregojnë vendosmërinë e tyre për të ofruar drejtësi në mënyrë efektive. Gjykatë e Lartë funksionale është thelbësore për zbatimin e reformës në drejtësi", shkruan Kim.

Pas më shumë se një viti nga bllokimi total dhe stokut të dosjeve prej 35 mijë dosje të mbartura, Gjykata e Lartë nisi nga puna me vendimet që para i përkasin rekurseve administrative të depozituara në këtë gjykatë të cilat prej muajsh "flinin" në arkivat e saj.