Gjykata e Lartë pritet të vendosë sot për arrestin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Në pritje të këtij vendimi, deputetja demokrate Jorida Tabaku akuzoi qeverinë se po përpiqet të mbrojë dhe ta nxjerrë nga qelia Erion Veliajn dhe shqetësimet e Tiranës, si mungesa e ujit të pijshëm, plehrat apo ndërtimet pa kriter, i kanë kaluar në plan të dytë.

Sipas Tabakut, Gjykata e Lartë ka një përgjegjësi të madhe dhe duhet të tregojë se drejtësia nuk ka frikë nga pushteti.

“Shqetësimi i qeverisë është si të mbrojë Veliajn. Tirana nuk ka ujë të pijshëm, por qeveria nuk merret me këtë, merret me atë se si të mbulojë korrupsionin e Veliajt. Tirana është e mbytur nga plehrat, nga ndërtimet, por ky nuk është shqetësimi i qeverisë. Qeveria ka hall se si të dalë Veliaj nga burgu.

Qytetarët janë më të varfër, më të vjedhur. Veliaj është para drejtësisë për 13 akuza. Ai duhej të ishte para drejtësisë edhe për të tjera, për inceneratorët, 5D, por ai sot ka marrë peng Bashkinë e Tiranës dhe po e përdor për të dalë nga burgu.

GJL ka një barrë shumë të madhe, të tregojë që drejtësisë nuk i dridhen gjunjët. Mund të vendosë një precedent shumë të rrezikshëm. Për këtë arsye njerëzit po protestojnë, për një drejtësi më të lirë, që nuk ka frikë nga pushteti. Po protestojnë për një Tiranë që të menaxhohet më mirë, për korrupsionin”, shprehet Tabaku.