Gjykata e Lartë lë në fuqi vendimin e fajësisë për ish- zv ministren e Brendshme Rovena Voda.
Në Dhomë Këshillimi, Gjykata e Lartë vendosi mospranimin e rekursit duke lënë në fuqi vendimin e Apelit të GJKKO që e dënoi ish-zyrtaren e lartë me 10 muaj burg me gjykim të shkurtuar për ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike.
Voda u hetua dhe gjykua nën masën arrest shtëpie si dhe për të u dha dënimi plotësues i heqjes së të drejtës për të ushtruar funksione publike për 5 vite.
‘Neni 245/1/2 i Kodit Penal “Mospranimin e rekursit të paraqitur nga të gjykuarit Rovena Voda dhe Majlinda Hasani, kundër vendimit nr. 4, datë 11.1.2023, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar', thuhet në vendim.
Sipas SPAK, Voda ka kryer veprën penale të ushtrimit të ndikimit për të favorizuar e punësuar në shtet Florida Beun nëpërmjet lidhjeve që kishte me avokaten Majlinda Hasani. Rovena Voda ra në 'rrjetën' e SPAK nga përgjimet që kishin për prokurorin e Kukësit, Edmond Karriqi, i cili u arrestua në Kavajë nën akuzën e korrupsionit.
Nga hetimet e kryera nga SPAK, nga përgjimet rezultoi se Rovena Voda ka pranuar nga avokatja Florida Beu 2 mijë euro, një telefon dhe një arkë me peshk për punësimin e saj në Ministrinë e Brendshme, por që në fund procedura mbeti në mes.
Sipas dosjes hetimore Majlinda Hasani ka luajtur rolin e sekseres për të lidhur Florida Beun me ish-zv.ministren. Marrja e eurove dhe të mira materiale u filmuan, përgjuan dhe fotografuan nga SPAK, duke çuar në pranga Vodën.
Komente










