Prej një muaji e gjysmë, proceset në Gjykatën e Posaçme janë paralizuar për shkak të konfliktit mes GJKKO dhe Dhomës Kombëtare të VAokatisë për rregulloren e re që u ndalon celularët në sallat e gjyqit. Por, GJKKO nuk tërhiqet nga rregullorja dhe tashmë po kërkon t'i zëvendësojë avokatët që bojkotojnë me mbrojtës nga shërbimi i ndihmës juridike falas pranë Ministrisë së Drejtësisë.

Kjo lëvizje absurde u zbulua në gjyqin ndaj kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj dhe të pandehurve të tjerë, i cili dështoi sërish këtë të martë. Gjykata gjobiti avokatët që munguan me nga 100 mijë lekë të rinj, ndërsa Veliajt i pezulloi afatet e paraburgimit. Treshja gjykuese, Elsa Ulliri, Flora Hajredinaj dhe Besmir Stroka bënë me dije se në seancën e 27 tetorit do të thërrasin avokatë nga ndihma juridike falas për të përfaqësuar të pandehurit e procesit Veliaj.

Por vendimi ngre pikëpyetje. Ligji e parashikon ndihmën juridike falas për persona në pamundësi ekonomike dhe kategori të veçanta. Për më tepër, një avokat i ri duhet të ketë kohë të studiojë dosjen dhe të përgatisë mbrojtjen.

Nga ana tjetër, SPAK kërkoi një zgjidhje tjetër për të vijuar procesin pa mbrojtës. Prokurori Altin Dumani deklaroi se gjykata duhet të shqyrtojë mundësinë që sjellja e të pandehurve dhe avokatëve të konsiderohet si heqje dorë nga e drejta e mbrojtjes. Sipas tij, ekziston një precedent nga Gjykata e Apelit për zhvillimin e gjyqit pa avokatë. GJKKO tha se për këtë kërkesë do të shprehet në një moment të dytë.

Nuk dihet ende nëse GJKKO do ta ndjekë këtë rrugë, duke zëvendësuar avokatët e të pandehurve me ndihmës juridikë flas edhe në proceset e tjera. Vetëm të hënën dështuan gjyqet për procesin e Evis Berberit, fraksionit Ilir Meta dhe aferës “Partizani”.

Konflikti nisi pas hyrjes në fuqi më 1 shtator të rregullores së firmosur nga Erion Bani. Dhoma Kombëtare e Avokatisë kundërshton ndalimin e celularëve, me argumentin se pengon ushtrimin e profesionit, ndërsa GJKKO këmbëngul në zbatimin e saj. Bojkoti vijon pa afat dhe është shtrirë edhe te masat e sigurisë.

Kategoritë që përfitojnë nga ndihma juridike falas 

Lajmi në përditësim.....

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:51
Dy standarde/ Prokurori Ols Dado thyen rregulloren e GJKKO, i bie celulari në mes të seancës për gjyqin Veliaj! Gjyqtarët asnjë reagim

Prokurori i posaçëm Ols Dado ka thyer rregulloren e GJKKO, e cila parashikon ndalimin e celularëve në sallë. Sipas GJKKO-së, rregullorja zbatohet për të gjithë, përfshirë gjyqtarët, prokurorët dhe gazetarët, por në fakt prokurori Ols Dado është lejuar me celular brenda në sallë.

Burime për Shqiptarja.com bëjnë me dije se Dados i ka rënë celulari gjatë zhvillimit të senacës gjyqësore. Ai e ka nxjerrë celularin nga xhepi dhe ka mbyllur thirrjen. Por, nga treshja gjykuese Elsa Ulliri, Flora Hajredinaj dhe Besmir Stroka nuk pati asnjë reagim, duke mbajtur dy standarde. Avokatët dhe gazetarët nuk lejohen me celularë në sallë, ndërsa për prokurorët nuk ka ndalim, ndonëse e parashikon rregullorja duke e shkelur atë.  

Ora 11:41
Bojkoti ndaj rregullores/ Dumani në gjyqin e Veliajt: Të vijojë pa avokat, ka precedent nga Apeli

Në seancën për procesin e Erion Velijat, ku avokatët munguan për shkak të bojkotit, SPAK kërkoi që gjyqi të vijojë pa avokatë. Prokurori i posaçëm Altin Dumani mësohet se ka deklaruar gjatë seancës se Gjykata mund të shqyrtojë që të konsiderojë mundësinë që sjellja e të pandehurve dhe avokatëve të konsiderohet si heqje dorë nga e drejta e mbrojtjes.

Sipas Dumanit, ekziston edhe një precedent nga Gjykata e Apelit, ku një çështje është shqyrtuar pa praninë e avokatëve.

“Mbrojtja është një e drejtë. Duke parë sjelljen e të pandehurve dhe avokatëve, vlerësojmë se Gjykata duhet të shqyrtojë mundësinë që ta konsiderojë sjelljen e tyre si heqje dorë nga kjo e drejtë dhe të vijojë gjyqin pa avokat. Gjykata e Apelit e ka një precedent të tillë, ku ka shqyrtuar çështje pa avokat”, tha Dumani.

GJKKO tha se do të shprehet në një moment të dytë për kërkesën e SPAK, ndërsa seanca e radhës u caktua më 27 tetor. Gjykata vendosi që në këtë seancë të thirren avokatë nga shërbimi i ndihmës juridike falas pranë Ministrisë së Drejtësisë.