Emisioni ‘Frontline Interview’ në Report Tv startoi sot sezonin e ri nën moderimin e gazetares Marsela Karapanço, ku i ftuar ishte avokati Spartak Ngjela.

Ngjela ka folur për disa nga çështjet më kryesore politike të momentit, ku ka komentuar edhe mbajtjen në qeli të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Avokat Ngjela tha se qëndrimi i Veliajt në burg nuk është domosdoshmërisht i pashmangshëm dhe sipas tij, kryebashkiaku mund të ishte hetuar edhe në gjendje të lirë.

“Që kryetari i Bashkisë së Tiranës të jetë në burg, nuk është gjë normale. Sepse mund të ishte në gjendje të lirë”, deklaroi Ngjela.

Ai shtoi se, për momentin, zhvillimet mund të jenë në favor të Veliajt, por theksoi se duhet pritur për të parë se si do të vijojë çështja në Gjykatën e Lartë në 15 shtator.

“Unë them në këto momente, për mendimin tim, të gjitha këto që po ndodhin i ka në favor. Të shohim sesi do precipitojë kjo ngjarje”, theksoi avokati.

Ngjela tha se në rastin e Veliajt ndërthuren dy çështje, ajo juridike dhe ajo politike, pasi sipas tij kryebashkiaku është një prej figurave kryesore të Partisë Socialiste.

“Janë 2 çështje që involvohen me njëra-tjetrën, një juridike dhe një politike. Pse? Se ky është një nga figurat kryesore të PS. Dhe janë që të dyja këto që konvergojnë në një pikë”, u shpreh ai.

Sipas avokatit, Veliaj vijon të jetë kryetar i Bashkisë së Tiranës, si në aspektin faktik, ashtu edhe në atë juridik.

“Ai është akoma de facto dhe de jure kryetar i Bashkisë së Tiranës. Sepse ia ka lënë Gjykata Kushtetuese me të drejtë”, deklaroi Ngjela.

Ngjela e cilësoi gjithashtu Veliajn si një prej figurave të rëndësishme të PS-së dhe argumentoi se kjo e bën çështjen të ketë edhe një dimension politik.

“Është kryetari i Bashkisë së Tiranës. Pra është figura e dytë e PS. PS është shumë e fortë në Shqipëri dhe e di Uashingtoni që kjo do vijë në pushtet”, përfundoi avokati.

Gjykata e Lartë në datën 15 shtator, ora 09:30, do të mblidhet për të rishqyrtuar masën ndaj Erion Veliajt, pas rikthimit nga Gjykata Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese ia riktheu Gjykatës së Lartë shqyrtimin e kërkesës së masës së Veliajt me argumentin se duhet të arsyetohet përse nuk është e përshtatshme një masë tjetër, përveç arrestit në burg.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë