TIRANE - Gjykata e Shkallës së Parë në Selanik të Greqisë nuk ka dhënë vendim për ekstradimin e Arben Frrokut duke e kaluar për kompetencë të Gjykatës së Lartë greke dhe Ministrisë së Drejtësisë.

Pas masës së sigurisë arrest me 40 ditë burg, Arben Frroku, biznesmeni shqiptar i akuzuar për vrasjen e ish- kryekomisar Dritan Lamaj ka dalë sërish sot para gjykatës për t’u njohur se si do veprohet me ekstradimin e tij, pasi më date 9 prill skadon dhe afati i paraburgimit.

Arben Frroku u arrestua së bashku me kushëririn e tij Jak Jaku në një hotel në Selanik nga policia greke me kërkesë të autoriteteve shqiptare, pasi u shpallën në kërkim nga interpol Tirana.

Avokati i Arben Frrokut, Tonin Prendi tha për televizionin A1 REPORT se klienti i tij nuk është kundër përballjes me drejtësinë shqiptare, por kjo do të ndodh pasi Frroku të fitojë lirinë dhe menjëherë sapo të vij në Shqipëri do paraqitet para drejtësisë, ndërsa kërkesa për ekstradimit sipas Prendit nuk është e bazuar në prova dhe fakte.

Ndërkaq burime nga organi akuzës, të cilët formuluan dosjen me prova për të bindur gjykatën e Selanikut të pranojë ekstradimin e Frrokut, thanë se mbeten në pritje të veprimeve të drejtësisë greke, pasi dosja ka prova të pakontestueshme për të legjitimuar ekstradimin e të dyshuarit të drejtësisë për vrasjen e Lamajt.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)