TIRANË- Gjykata Federale Zviceriane hedh poshtë rekursin e Skënderbeut ndaj vendimit te CAS për pezullimin me 10 vjet nga Kupat e Europës për manipulim ndeshjesh.

Vendimi që pritej prej ditësh i është komunikuar sot klubit korçar i cili njofton se vendimi është marrë me një shumicë të thjeshtë votash 3 me 2 pavarësisht provave të pakundërshtueshme që paraqiti Skënderbeu.

Gjykata Federale Zviceriane la në fuqi vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv që e pezulloi Skënderbeun me 10 vjet nga Kupat e Europës dhe e gjobiti me 1 mln euro për manipulim ndeshjesh.

Në njoftimin e bërë nga klubi korçar në rrjetet sociale thuhet se nuk pajtohen me këtë vendim dhe se do të shkojnë për aknimim deri në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut. Klubi Skënderbeu thotë se pavarësisht pasojave të rënda që ka ky vendim i Gjykatës Federale ekipi nuk do dorëzohet dhe do punojë për të arritur suksese të tjera sportive.

"Sot, më datë 12 Gusht 2020, KF Skënderbeu-t ju bë me dije Vendimi i Gjykatës Federale Zvicerane në lidhje me rekursin e kryer ndaj Vendimit të CAS-it datë 12 Korrik 2019. Pavarësisht argumenteve të pakundërshtueshme të paraqitura në proçes, trupa gjykuese e përbërë nga 5 anëtarë, përmes një vendimarrje me shumicë të thjeshtë votash, 3 vota pro dhe 2 kundra, vendosi rrëzimin e rekursit të kryer nga KF Skënderbeu, duke konfirmuar vendimin e mëparshëm të CAS-it. Në momentin aktual, KF Skënderbeu po shqyrton të gjitha mundësitë për një ankim të mëtejshëm në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut, pasi në asnjë mënyrë nuk mund të konformizohet me një vendim i cili, në çmimin tonë, cënon rëndë parimet e të drejtës për një proçes të rregullt ligjor. Për këtë, informacione të mëtejshme në lidhje me përmbajtjen e vendimit në fjale do të bëhen publike, pasi të jenë kryer të gjitha vlerësimet e rastit. Pavarësisht efekteve tejet të rënda që ky vendim ka, KF Skënderbeu do të vazhdojë rrugën e tij drejt arritjes sërish të sukseseve historike të mëparshme, të cilat ende sot shërbejnë si model e frymëzim për futbollin Shqiptar. Puna vazhdon", shkruan Skënderbeu./ Përgatiti Andi Kapxhiu