Për ish-presidentin francez ky është dënimi i dytë penal përfundimtar, pas atij në çështjen “Bismuth”, atë të përgjimeve telefonike ku ai akuzohej, ndër të tjera, për korrupsion të një gjyqtari.

Me vendimin e Kasacionit, “Sarkozy, drejtori i fushatës së tij zgjedhore dhe dy drejtorët e partisë politike që mbështeste kandidatin janë dënuar në mënyrë përfundimtare”, thuhet në komunikatën e instancës më të lartë gjyqësore të Francës.

Mbuluar nga lajmi i arrestimit të Sarkozy-t për dënimin në çështjen e fondeve libiane, me gjyqin në apel që e pret në pranverë, ish-presidentit sot iu refuzua edhe ankimi i fundit i mundshëm në çështjen Bygmalion. Bygmalion ishte emri i shoqërisë së krijuar nga bashkëpunëtorë të ngushtë të Sarkozy-t, përmes së cilës kalonte sistemi i faturimeve të dyfishta.

Në këtë çështje, Sarkozy u dënua më 14 shkurt 2024 nga gjykata e apelit e Parisit me një vit burg, nga të cilët 6 muaj pa kusht, për financimin e paligjshëm të fushatës së tij presidenciale të vitit 2012. Hetimet zbuluan se, për të fshehur rritjen e tepruar të kostos së fushatës — rreth 43 milionë euro kundrejt 22,5 milionëve të autorizuar — u ngrit një sistem faturimesh të dyfishta, përmes të cilit pjesa më e madhe e shpenzimeve të tubimeve elektorale i faturohej UMP-së, pararendëses së partisë Les Républicains, nëpërmjet marrëveshjeve dhe kontratave fiktive.

Ndryshe nga të bashkëakuzuarit, Sarkozy nuk u dënua për sistemin e faturave të rreme, por për faktin se, si kandidat, ishte përfitues i një financimi të paligjshëm. Në dy shkallët e mëparshme të procesit, ish-presidenti i ka kundërshtuar akuzat duke i quajtur “përralla” dhe “gënjeshtra”.

Dënimi në apel, për të cilin gjykata kishte urdhëruar kthimin e gjashtë muajve pa kusht në një regjim lirie të kushtëzuar me detyrimin për të mbajtur byzylyk elektronik, ishte pak më i ulët se dënimi njëvjeçar pa kusht i dhënë në shkallën e parë në vitin 2021. Në dhjetor 2024, Kasacioni kishte bërë tashmë përfundimtar dënimin e Sarkozy-t me një vit burg pa kusht, por me byzylyk elektronik, në çështjen e përgjimeve.

Ish-presidenti, i cili është 70 vjeç, mbajti byzylykun elektronik nga shkurti deri në maj të këtij viti, më pas mori lirinë me kusht pasi kishte vuajtur gjysmën e dënimit.

//ANSA