Gjykata e orientoi prokurorinë që Avduli të akuzohej për “Shpërdorim detyre”, por prokurorët kanë vendosur që ish-specialistin e hetimit të krimit ekonomik, ta lidhin në një procedim tjetër, por për trafik droge e kultivim droge, ku ai ka dalë në disa përgjime telefonike.
Prokuroria është e bindur se Avduli ka qënë i lidhur me grupe të fuqishme në Vlorë që kontrollojnë trafikun e drogës në këtë zonë. Pikërisht nga kjo çështje kanë dalë dhe emrat e Habilajve dhe disa efektivëve të tjerë të policisë së shtetit.
Grupi me 7 anëtarë
Grupi në të cilin prokuroria pretendon se bën pjesë edhe Avdulaj u godit një vit më parë, ndërsa u arrestua Taulant Haxhiraj, nga Vlora, dhe u kapën 7 mijë rrënjë kanabis.
Sipas Prokurorisë, Haxhiraj bashkëpunonte me në atë kohë punonjësin e policisë, Renaldo Avduli, të afërmin e tij, Xhovalin Baço dhe shtetasit Shkëlqim Koçiaj, Marjus Bajrami dhe Reshat Radhima.
Në kërkesën për gjykim që dorëzoi në fillim të tetorit në gjykatë, prokuroria thotë se mes Haxhirajt dhe Renaldo Avdulit, i cili mbante detyrën e ndihmës-specialistit në sektorin e antikrimit ekonomik në drejtorinë e Policisë së Vlorës kishte komunikim të vazhdueshëm lidhur me mbarëvajtjen e aktivitetit të paligjshëm.
Avduli sipas përgjimeve të paraqitura në atë kërkesë për gjykim dyshohet se jo vetëm zotëronte edhe vetë një parcelë me kanabis, por të paktën në një rast ka dekonspiruar përpjekjet e kolegëve të tij policë për të gjetur prova për grupin e mësipërm.
Ndërkohë pak javë më parë ky grup u përfshi prej Prokurorisë së Krimeve të Rënda edhe në dosjen kundër atij që u pagëzua prej akuzës si “grupi kriminal Habilaj”, dosje në të cilën hetohet edhe ish-Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri.
Përgjimet e Avdulit me trafikantët
Sipas dosjes që prokuroria dorëzoi për gjykim i dyshuari si kreu i grupit Taulant Haxhiraj, siguronte mbrojtje për bashkëpunëtorët e tij, duke qenë se ai kishte lidhje me inspektorin e Policisë të pandehurin Renaldo Avduli dhe efektivë të tjerë policie të paidentifikuar ende.
Prokurorët thonë se nga hetimet dhe procesverbali i transkriptit i një bisede telefonike të kryer më 7 gusht 2016 mes Haxhirajt dhe Avdulit, i cili përshkruhet në kërkesën për gjykim, ekspozohen përpjekjet e punonjësit të policisë që bashkëpunëtori i tij në kultivimin e kanabisit të mos binte pre e një agjenti të infiltruar.
“Po erdhi ndonjë nga Kruja atje mos e qas as për kafe as për tutje…Nonji i panjohur krutan,” mësohet t’i ketë thënë Avduli Haxhirajt përmes telefonit.
Sipas Prokurorisë, biseda lidhej me përpjekjen për të infiltruar një agjent të policisë si blerës kokaine dhe kanabisi brenda grupit të Haxhirajt. Insistimit të këtij të fundit për të mësuar arsyet, Avduli i është përgjigjur: “Mos e qas thashë se është nga tanët…”. Implikimi i punonjësve të policisë në fenomenin e kultivimit masiv të kanabisit gjatë vitit 2016 ka qenë një ndër çështjet më të debatuara të politikës gjatë dy viteve të fundit.
Për këtë arsye, një numër i madh drejtuesish të policisë në rrethe u ndryshuan në pranverën e vitit 2017, ndërkohë që ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj ka premtuar “vettingun” në polici për ta adresuar këtë çështje.
Redaksia Online
Xh.F/Shqiptarja.com











