Gjykata Kushtetuese rrëzon Rovena Gashin dhe vulos shkarkimin, mbeten në fuqi të gjitha vendimet e KPA ku mori pjesë Luan Daci që u dënua nga GJKKO

Gjykata Kushtetuese rrëzon Rovena Gashin dhe vulos shkarkimin, mbeten në fuqi të gjitha vendimet e KPA ku mori pjesë Luan Daci që u dënua nga GJKKO

Rovena Gashi dhe Gjykata Kushtetuese

TIRANË- Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar një kërkesë të ish prokurores Rovena Gashi, për të hedhur poshtë procesin ndaj saj në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, i cili e shkarkoi në mënyrë përfundimtare nga detyra në 29 maj të vitit 2019, pasi bashkë me babanë nuk mbulonte me të ardhura të ligjshme një pasuri me vlerë 930 mijë USD. Vendimi i Kushtetueses është marrë në dhomë këshillimi në 28 shtator të këtij viti nga Vitore Tusha, Marsida Xhaferllari, Fiona Papajorgji, Altin Binaj, Përparim Kalo, Sonila Bejtja dhe Elsa Toska. 

Në gusht të këtij viti, Rovena Gashi i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese, duke i kërkuar konstatimin e shkeljes së të drejtës për t’u gjykuar nga një gjykatë e caktuar me ligj gjatë procesit në Kolegjin e Apelimit. 

Trupi gjykues në Kolegjin e Apelimit, i cili shkarkoi përfundimisht nga detyra Rovena Gashin në vitin 2019, ka pasur në përbërje edhe anëtarin e pezulluar të KPA, Luan Daci, i cili ka qenë relator i çështjes. Dy vjet më vonë, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO), dënoi me 1 vit heqje lirie Luan Dacin për falsifikim dokumentesh gjatë aplikimit për pozicionin e tij, përmes paraqitjes së rrethanave të rreme, nëpërmjet mosdeklarimit të një mase disiplinore për largim nga puna të vitit 1997. 

Vendimi i GJKKO-së është ankimuar nga Luan Daci në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e cila në 3 gusht 2021 ka vendosur lënien e tij në fuqi. Nisur nga ky vendim i formës së prerë, Rovena Gashi i ka kërkuar Kushtetueses që të konstatojë shkeljen e të drejtës për t’u gjykuar nga një gjykatë e caktuar me ligj, pasi pjesëmarrja e Dacit në trupën gjykuese që ka shqyrtuar dosjen e saj, ka qenë e paligjshme dhe kjo është konfirmuar, sipas saj, edhe nga dënimi i tij me vendim të formës së prerë. 

Në arsyetimin e saj, Gjykata Kushtuese thotë se edhe pse Rovena Gashi kërkon të konstatimin e shkeljes së të drejtës për t’u gjykuar nga një gjykatë e caktuar me ligj, “thelbi i kërkesës së saj ka të bëjë me cenimin e parimit të gjykatës së caktuar me ligj, që lidhet pikërisht me procesin e rivlerësimit kalimtar të zhvilluar në KPA, i cili ka passjellë shkarkimin e kërkueses nga detyra e prokurores”. 

Trupa gjykuese thekson se Gjykata Kushtetuese nuk ka në kompetencë për të shqyrtuar vendimmarrjet e KPA, shkallës së dytë të Vettingut, pasi në Kushtetutë parashikohet e drejtat për t’ju drejtuar Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ).

“Si përfundim, Mbledhja e Gjyqtarëve thekson se megjithëse fakti në të cilin bazohet pretendimi i kërkueses për cenimin e standardit të gjykatës së caktuar me ligj ka lindur pas zhvillimit të procesit të rivlerësimit në KPA, në bazë të nenit F, pika 8, të Aneksit të Kushtetutës, si dhe nenit 6 të KEDNJ-së, kërkuesja mund ta paraqesë këtë pretendim vetëm në GJEDNJ, gjykatë  pranë së cilës ajo tashmë parashtron se e ka ushtruar ankimin e saj. Për rrjedhojë, bazuar në sa më sipër, Mbledhja e Gjyqtarëve vlerëson se Gjykata nuk ka juridiksion për sa u përket kërkimeve të paraqitura në kërkesë, prandaj çështja nuk i plotëson kriteret për kalimin e saj në seancë plenare”, thuhet në vendim. 

Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese është i vlefshëm edhe për raste të tjera, ku ka marrë pjesë në gjykim anëtari i KPA, Luan Daci. Anëtari i pezulluar i Kolegjit të Apelimit Luan Daci ka kryesuar trupin gjykues për shqyrtimin e 8 çështjeve, ka qenë relator i 9 të tjerave dhe anëtar në shqyrtimin e 27 dosjeve të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Ndërkaq, në 22 shtator 2021, Komisioni i Vetingut, shkalla e parë, shkarkimin e prokurorit, Dritan Gina, i cili është bashkëshorti i Rovena Gashit. Duke vënë në balancë shpenzimet dhe të ardhurat, Komisioni i Vetingut kishte konstatuar se prokurori Dritan Gina nuk justifikonte rreth 100 mijë USD pasuri për vitet 2010-2015.

(Kliko këtu për vendimin e Gjykatës Kushtetuese për padinë e Rovena Gashit)
 

B.K./KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Assad rrezikon gjykimin për krime ndaj njerëzimit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare

Assad rrezikon gjykimin për krime ndaj njerëzimit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare