Gjykata e Lushnjës vendosi masën e sigurimit personal “arrest në burg” ndaj Baki Çokut i cili dyshohet se ka kryer veprime terroriste.

Sipas gjykatës Çoku akuzohet nga autoritetet italiane si i përfshirë në akte terroriste, lidhur me rekrutimet e shtetasve shqiptarë drejt Sirisë për t’iu bashkuar ISIS.

Çoku u arrestua në kuadër të operacionit ndërkombëtarë të koduar “Martesa”.
 
Ndërkohë gjykata vendosi ta lërë në burg për llogari të drejtësisë italiane. Mësohet se i arrestuari nuk ka dhënë asnjë shpjegim para gjykatës së rrethit gjyqësor Lushnjë për akuzat e ngritura. Menjëherë pas arrestimit prokuroria e Milanos i nisi një kërkesë Ministrisë së Drejtësisë shqiptare me qëllim ekstradimin e Baki Çokut dhe hetimin e gjykimin e tij bashkë me personat e tjerë të arrestuar në Itali.

40 vjeçari Çoku është daja i Aldo Kobuzit, shqiptarit 29 vjeçar, që lufton në Siri për xhihad. 

Prokurorët italianë kanë zbardhur dhe skemën e funksionit të celulës terroriste e cila në bazë të saj kishte marrëdhënie familjare mes shqiptarëve dhe italianëve e kjo ka nisur dhe nga krushqia ku Maria Gulia Sergo 27 vjecarja italiane e konvertuar në Fatima u martua me Aldo Kobuzin të riun nga Laçi konvertuar në Said.
 
Ky çift dyshohet se rekrutojnë luftëtarë për shtetin islamik dhe dyshimet janë hedhur edhe mbi të afërmit e tyre. 

Baki Coku nga fshati Germenj i Lushnjës, është nën akuzë së bashku me 9 persona të tjerë mes tyre 1 kanadez, 5 italianë dhe 3 shqiptarë, të cilët sipas hetimeve rezultojnë se rekrutonin luftëtar për në Siri si dhe përgatisnin akte terroriste në shtetin fqinj.

Nga blutë e Lushnjës mësohet se Baki Coku gjatë kesaj periudhe ka qenë i qetë dhe ka vijuar edhe në qeli të mbajë ramazan. 

Çështja u shqyrtua nga prokurorët Brikena Lubonja dhe Dritan Azbiu, ndërsa avokati mbrojtës i 40-vjeçarit ishte Saimir Korreshi.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)