Gjykatat tona, e njohin apo jo KVNGjP?

Kjo është pyetja që më vinte ndërmend këto ditë, kur ‘Shqiptarja.com’ ka botuar skandale të gjyqësorit tonë, rreth lirimit të disa personave të dënuar nga gjykatat e shtetit fqinj – Italisë, me burgim në afate të gjata, kryesisht për trafifkim ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Aq më tepër pushtohesh nga habia, kur dihet fare mirë që për raste të tilla Shtetet Anëtare të organizmave internacionale, apo ata të lidhur me njëri - tjetrin nëpërmjet marrëveshjeve shumëpalëshe dhe bilateriale kanë obligimin të zbatojnë aktet juridike, që i kanë miratuar dhe ratifikuar në pozicionin e Palëve Kontraktuese të këtyre akteve. Nejse, më mirë është të shpjegohemi konkretisht, në mënyrën më lakonike të mundshme, fillimisht për Konventën e përmendur në titullin e këtyre rradhëve me inicialet përkatëse, dhe më tej, për disa dispozita ligjore të legjislacionit tonë të brendshëm, të cilat lidhen drejtpërdrejt me zbatimin këtu të kësaj Konvente, injorimi i parashikimeve të të cilave nuk mund të justifikojë kurrësesi asnjë trupë gjykuese.  

Ishte e natyrshme që zhvillimi ekonomik - social, që do të përshkonte Evropën e shekullit XX dhe më tej, të shoqërohej me zhvillime po aq të spikatura edhe në fusha të tjera. Ritmet  eksponenciale të këtyre zhvillimeve pasollën, gjithashtu, evoluim të krimit në shumë sfera. Politika të reja penale u bënë të domosdoshme, për të parandaluar, por edhe për të tkurrur hapësirat e këtij fenomeni negativ, që përhapej dhe rafinohej gjithnjë e më tepër. Prandaj, pothuajse menjëherë pas themelimit të Këshillit të Evropës u nënshkrua teksti origjinal i Konventës Evropiane për të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut (4 nëntor 1950) dhe, më pas, dy nga aktet më të rëndësishme në fushën e marrëdhënieve juridiksionale penale: Konventa “Për Ekstradimin” (1957) dhe Konventa “Për Ndihmën e Ndërsjellë në Çështjet Penale” (1959).

Më tej, gjatë të ashtuquajturës ‘Periudhë e Novacionit në Evropë’ (1961-1971) u hartua Konventa “Për Vlefshmërinë Ndërkombëtare të Gjykimeve Penale”, që iu përcoll për nënshkrim Shteteve Anëtare të Këshillit të Evropës, nëpërmjet Konferencës së Ministrave të Drejtësisë, që u mbajt më 28 maj 1970. Koncepti themelor i saj qëndron te asimilimi i vendimit të huaj gjatë një gjykimi të zhvilluar nga gjykatat e një Shteti tjetër Kontraktues. Ky koncept është aplikuar dhe aplikohet te gati të gjitha hapësirat evropiane në tre aspekte: ekzekutimi i vendimit; efekti ‘ne bis in idem’; marrja në konsideratë e vendimeve të huaja.

Sa për aspektin e parë, të trajtuar në Pjesën II (nenet 2 – 52), një ekzaminim i detajuar në Komisionin Plenar të Komitetit Evropian për Problemet e Krimit ka çuar në miratimin e 6 kushteve për zbatim, duke filluar me kushtin primar që vendimi duhet të jetë dhënë nën vëzhgimin e plotë të parimeve të Komventës Evropiane të të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut (sidomos të atyre të shprehura në nenin 6 të saj), për të vazhduar me parashikimin që vepra penale, për të cilën një person është dënuar në shtetin e gjykimit, duhet të jetë e dënueshme sipas legjislacionit të shtetit të kërkuar; kërkesa duhet të bëhet në mënyrë të vlefshme nga shteti i gjykimit; shteti pritës mund të refuzojë zbatimin vetëm nëse ndodhet përpara njërit prej shkaqeve të listuara te kufizimet e vetë Konventës etj, etj.

  Duke qenë se Konventa për Vlefshmërinë Ndërkombëtare të Gjykimeve Penale u vlerësua si një hap përpara drejt qëllimit përfundimtar, pra sigurimit për bashkëpunimin e plotë internacional në çështjet penale ndërmjet Shteteve Anëtare të Këshillit të Evropës, këtyre të fundit nuk u mungoi as Shqipëria, Parlamenti i së cilës e ratifikoi këtë akt me Ligjin nr. 9068, datë 15.05.2003, duke përcaktuar në kuptim të kësaj Konvente edhe disa nocione të gjithëpranuara. Që atëhere, kjo vlerë e shtuar ka imponuar zbatim konkret, shoqëruar me procedura të parashikuara në ligjin e mësipërm dhe në Protokollin shtesë I të Konventës (ndryshuar me ligjin nr. 9539, datë 22.5.2006), si edhe në Protokollin shtesë II të saj, të cilat bashkërisht trajtojnë më gjerë fushat e bashkëpunimit dhe modalitetet respektive.

Por, duke mos gjetur formatin e duhur në një koment gazetaresk, për t’i ballafaquar të gjitha parashikimet e KEDNJ dhe KVNGJP me vendimet e Gjykatës së Apelit – Vlorë rreth lirimit të trafikantëve të dënuar në Itali, Arben Gropa dhe Gramos Murataj, si edhe me Vendimin e Gjykatës së Lartë për mosekstradim të këtij të fundit, mund të thuhet që “argumentet” e dhëna nga trupat përkatës të këtyre gjykatave shqiptare nuk janë aspak bindëse.

Përkundrazi, madje janë qesharake, aq sa nuk ia vlen të zgjatemi me interpretimin e tyre.
Megjithëse mund të dalë ndokush dhe të “mëshirojë” gjyqtarët tanë, duke thënë që ata nuk e kanë njohur imtësisht apo e kanë harruar që ekziston në fuqi te ne edhe KVNGJP, rëndësia dhe efektet e zbatimit të kësaj Konvente, krahas akteve të tjera ndërkombëtare të ratifikuara nga Shqipëria, si edhe brenda territorit të saj, nuk mund të mos mbahen rreptësisht në vëmendje edhe nga organet e drejtësisë, që në veprimtarinë e tyre duhet t’u binden vetëm Kushtetutës dhe ligjeve. Ky konkluzion i përgjithshëm vlen të theksohet, përderisa vetë Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë përcakton supremacinë e akteve ndërkombëtare ndaj legjislacionit të brendshëm (nenet 81, 116, 122).

Dhe, në fakt, e gjithë praktika gjyqësore ka mbetur në kuadër të njohjes së vendimeve të huaja dhe konvertimit të dënimeve të tyre. Le të sjellim në vëmendje të lexuesit vendime të Gjykatës së Lartë, të cilat sqarojnë shumë çështje që lidhen me praktikën e përmendur. Për shembull, Vendimin Unifikues nr. 5 të kësaj Gjykate, sipas të cilit janë zgjidhur problemet që kanë të bëjnë me mënyrën e kuptimit dhe zbatimit të dispozitave të Kodit të Procedurës Penale (Titullit X, Kreut të tretë, Seksionit të parë), që rregullojnë ekzekutimin e vendimeve penale të huaja (nenet 512 – 518); Vendimin e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë nr. 00-2009-62(194), datë 22.04.2009, për shkeljen e parimit “ne bis in idem”, kur personi është dënuar nga një gjykatë e huaj. Nga jurisprudenca shqiptare, nuk mund të mos përmedim për ilustrim të temës së këtij Komenti gazetaresk edhe një Vendim tjetër Unifikues të Gjykatës së Lartë nr.1/2003, i cili ka shtruar për zgjidhje disa probleme për zbatueshmërinë e çështjeve që lidhen me ndihmën e ndërsjellë në fushën penale, konkretisht si më poshtë.
- Në marrëdhënie me autoritet e huaja, cilat norma kanë përparësi për zbatim: ato të marrëveshjeve ndërkombëtare të pranuara nga shteti shqiptar, ose parimet përgjithisht të pranuara të së drejtës ndërkombëtare, apo ato të legjislacionit të brendshëm shqiptar?

- Cili është dallimi midis: 1) transferimit të të dënuarve, që janë dënuar dhe vuajnë dënimin në një shtet të huaj, në shtetin e tyre të origjinës; 2) ekzekutimit të vendimit penal të huaj ndaj një shtetasi shqiptar të dënuar, që ndodhet pas dhënies së dënimit në territorin e Republikës së Shqipërisë; 3) ekstradimit.
- Në varësi të qenies ose jo nën kufizim të lirisë të një të dënuari me burgim – shtetas shqiptar, si rezultat i një vendimi penal të huaj, a ndodhemi para proceseve të ndryshme ekzekutimi dhe, për efekt të këtij ekzekutimi, në njohjen e vendimit penal të huaj a përbën kusht për njohje pëlqimi i të dënuarit në të gjitha rastet?
- Dhënia e pëlqimit të të dënuarit prej gjykatës së huaj duhet për faktin, nëse ai dëshiron ta vuajë apo jo dënimin (siç pranon Gjykata e rrethit dhe ajo e Apelit), apo se ku dëshirion ai ta vuajë dënimin: në bërgjet e shtetit dënues apo në burgjet e shtetit, shtetas i të cilit është?

- Për problemet e mësipërme, a ka ndeshje midis dispozitave të akteve juridike të huaja (konventave) dhe Kodit të Procedurës Penale të Shqipërisë?
Shpjegimet dhe përgjigjet e hollësishme të këtyre pyetjeve, gjyqtarët mund t’i gjejnë fare mirë, nëse shfletojnë Vendimin Unifikues të vitit 2003. Nëse jo, ata injorojnë tek e fundit, profesionin e tyre dhe misionin e këtij profesioni, për të dhënë në çdo rast drejtësi. Si pasojë, mund të veprojnë më kokë të vet të joshur materialisht në forma të ndryshme apo të gënjyer nga premtimet për respektim të ligjit prej të nxjerrurve nga qelia, ndonëse të kërkuar nga Intepoli dhe të arrestuar nga Policia,  për të vuajtur dënimet e dhëna në shtetet e huaja. Kështu ndodhi me një shtetas turk, Abdulselam Turgut - ‘Wanted’ nga Gjermania, i cili pas ndryshimit të masës së sigurisë prej Gjykatës së Apelit – Tiranë, nga ‘arrest me burg’ në ‘arrest shtëpiak’, në marsin e 2011 u bë erë dhe ende nuk i gjenden gjurmët. Kështu ndodhi edhe me Gramos Muratajn në 2012 – n. Ka të ngjarë që kështu të ndodhë edhe tani më 2013 me Arben Gropën.

Shkrimi u publikua sot (09.03.2014) në suplementin Rilindasi të gazetës Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

Dëmtohen në të njëjtën kohë, Berat Gjimshiti dhe Ardian Ismajli lënë fushën në Serie A

Dëmtohen në të njëjtën kohë, Berat Gjimshiti dhe Ardian Ismajli lënë fushën në Serie A