TIRANË- 'Një drejtësi që të bën për të vjellë', edhe sot në bashkëbisedim me qytetarët Kryeministri, i ashpër ka drejtuar gishtin nga pjesë të korruptuara të sistemit të drejtësisë për shtesën pa leje prej 4646 metër katrorë të ndërtuar në qendër të Tiranës. Kryeministri Rama ka qenë i prerë me kritikët dhe akuzat ndaj qeverisë duke bërë publik një dokument të dytë ku në të afishohej gjoba me shifër 1.3 milionë euro për këtë shtesë, e vendosur në muajin qershor. Sipas Ramës, një gjykatës i verbuar nga leku, vendosi që të ‘rrëzonte’ shtetin dhe tha jo. 

Dje publikova një document, i cili tregon se ndërtimi pa leje, ose 4646 metra katrorë në qendër të Tiranës nuk janë aty si një zbulim i këtij momenti dhe është e pavërtetë që aty nuk ka pasur asnjë sy dhe asnjë veprim më parë. dhe publikova dokumentin me denoncimin e kallëzimit në Prokurori të kompanisë ndërtuese. Tani po ju jap një dokument tjetër që është dënimi me gjobë sipas ligjit i kësaj kompanie për ato 4646 metra katrorë të ndërtuara për qëllim fitimi jashtë lejes së ndërtimit. Është një dënim me gjobë dhe gjoba është sipas ligjit për metër katrorë, e kemi përcaktuar vetë në ndërhyrjen e fundit ligjore që kemi bërë, shumë 160 e kusur milion të reja, që i bie, shkurt muhabeti 1.3 milion dollarë. Kjo gjobë është vendosur në fillim të muajit qershor. Urdhëroni se çfarë ka ndodhur. E çojmë në gjykatë gjobën dhe gjykatësi rrëzon shtetin. Një gjykatës i verbuar, unë besoj i verbuar nga paraja, por nuk jam nga ata që ngre akuza pa prova, por i verbuar totalisht dhe i padenjë fare, fare, fare i thotë shtetit “jo”, ndërkohë që gjobën e ka ligji, nuk e ka inspektoriati. Inspektoriati thjesht ka marrë sa është gjoba në ligj, ka bërë shumëzimin me metra katrorë dhe thotë, zotëria do paguajë gjobën dhe plus e ka çuar në prokurori. Janë bërë të gjitha hapat. Ky ka qenë rasti që ka derdhur kupën dhe na ka detyruar ne të futemi me vendimin e fundit të qeverisë për të vepruar në një mënyrë të atillë që të mos ketë mundësinë asnjë prokuror dhe gjykatës i korruptuar në mes sepse kemi pritur e kemi pritur.- tha Rama

Po përpos dokumentit me gjobë ndaj ‘Syrit’ të Tiranës, Rama foli me shifra ku tha se deri tani janë kallëzuar 40 subjekte, 18 kryetar të bashkive e komunash, përfshirë dhe socialistë, 12 drejtorë Urbanistike, 25 kryeinspektorë të IMT si dhe 2 drejtorë të Aluiznit. Kreu i socialistëve tha se emrat e tyre janë çuar në prokurori. Rama gjithashtu bëri me dije se ekziston edhe një tjetër pallat në një zonë turistike, i gjithi pa leje dhe qeveria ende nuk po arrin dot të ekzekutojë vendimin. I qartë e i prerë, kreu i qeverisë tha se ‘parallinjtë’ që ndërtojnë pa leje do iu kushtojë aq shumë sa nuk do kenë mundësi e as do u vi nëpër mend të ndërtojnë sërish pa leje.

Pyetja është sa nga këta kanë shkuar përpara ligjit? Asnjë. Këto dosje i ka zënë myku nëpër prokurori.

Edhe unë këtë pyetje bëj dhe pikërisht se jam 100% dakord me ty kam marrë përsipër bashkë me ty dhe do e bëjmë me gjithë qeverinë. Është një pallat i tërë pa leje në një zonë turistike ka mbi një vit që jemi bam e bum dhe s’po arrijmë dot të ekzekutojmë vendimin. Tani ka ardhur momenti që t’i japim një mesazh këtyre parallinjve që çdo metër katror pa leje do ju kushtoj aq shumë sa s’do keni më shans që të bëni sërish.- tha Rama.

Nisur nga pyetjet e qytetarëve lidhur me drejtësinë dhe ndjekjen penale ndaj këtyre subjekteve, Rama sqaroi se penalisht ndiqen vetëm nga drejtësia duke e cilësuar si një luftë titanike për të pastruar ‘llumin’. Kryeministri tha se shumë dosje 'flenë dhe kanë zënë myk' në prokurori. 

Penalisht nuk i ndjek qeveria njerëzit e tij, i ndjek drejtësia. Dhe lufta jonë me drejtësinë është një luftë titanike, për ta pastruar këtë llum. Unë luftoj për të njëjtën gjë dhe kemi arritur të vendosim bazat me institucionet e drejtësisë për zyrtarët e lartë, po kush lufton me parellinjtë? Po s’janë vetëm këto, janë dhe rastet madhështorë të evazionit fiskal, miliona e miliona evazion dhe dosja fle në prokurori. Dhe burri huaj të bën kryesor nëpër media e portale.- tha Rama.

Kreu i qeverisë iu përgjigj shqetësimeve të qytetarëve se do bëjë ç’është e mundur për të mbajtur në ‘shina’ Tiranën e cila dikur ishte një katund e sot një metropol.

Mund ta bëjmë këtë sot se e kemi sjellë situatën në progres, se nuk ka pasur në Tiranë se nuk kishin një hipotekë. Kishin metra katrorë shtesë dhe sot nuk ka më të tilla masivisht, janë thjesht një dyzinë. 10-12 raste deri tani, këto janë tmerr por s’janë asgjë.' - u shpreh Rama

Kujtojmë se Rama publikoi dje dokumentin që tregon se IKMT ka kallëzuar kompaninë “Ideal Cosntruction shpk”, për shtesën pa leje prej 4646 metër katrorë që në muajin korrik të këtij viti, por drejtësia nuk ka lëvizur për sekuestrimin e tyre. Sot, kreu i qeverisë publikoi dokumentin e dytë ku tha se gjoba me vlerë 1.3 milionë dollarë është vendosur në muajin qershor. Ndërkaq, Report Tv mëson se prokuroria ka regjistruar çështjen penale. Sipas prokurorisë por priten materiale nga institucionet shtetërore. Hetimi do të vijojë dhe çështja do të dërgohet në gjykatë nëse do të vërtetohen element të veprës penale ndërtim pa leje. Prokuroria sqaron se hetimi as nuk është pushuar dhe as nuk është neglizhuar por po vijon.

Pas sekuestrimit nga qeveria, kompania “Ideal Cosntruction shpk” vendosi t’i dhurojë shtetit shtesën pa leje prej 4646 metër katrorë, e cila do të përdoret për interes publik. Ndërkohë janë sekuestruar edhe tre pallate të tjera. Ditën e sotme u sekuestrua pallati në rrugën 'Myslym Shyri' në Tiranë, pasi kishte ndërtuar 2700 metra katrorë shtesë pa leje, nga firma ‘Arb Trans 2010’ me administrator Shyqyri Maloku dhe ish-ortak deri në vitin 2018 Arben Malokun, ish-administrator i Zall Herrit. Nga ana tjetër është sekuestruar edhe ndërtesa 9-katëshe të biznesmenit, Julian Morina e ndërtuar pa leje. Ndërsa shtesa tjetër pa leje ishte në një pallat në ndërtim në zonën e Farkës në Tiranë, me një sipërfaqe 1200 metër katror. Shtesat e kateve pa leje janë ndërtuar në pallatin në pronësi të biznesmenit Pëllumb Salillari. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:58
Rama bën publike dokumentet për ‘Syrin e Tiranës’: Gjoba ka rënë në duart e një gjykatësi të verbuar, sa pa iu dridhur dora i dha të drejtë kompanisë

Kryeministri Edi Rama bën publike dokumentet e gjobës për ‘Syrin e Tiranës’ në qendër të kryeqytetit. Rama insiston në datën e vendosjes së gjobës nga Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, ndërsa thotë se gjoba ka rënë në duart e një gjykatësi aq të verbuara sa që ka hedhur poshtë kallëzimin.

“Pas dokumentit të kallzimit penal që patë dje, ja edhe dokumenti i gjobës prej 162 milionë 634 mijë e 500 lekë të reja ose 1 milionë 366 mijë e 130 USD, për metrat katrorë pa leje në qendër të Tiranës, të cilat para pak ditësh i mori shteti, për interes publik

Shikojeni edhe datën e vendosjes së kësaj gjobe nga Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit dhe përmes dokumentit tjetër bashkëngjitur, informohuni se kjo gjobë, ka rënë në duart e një gjykatësi aq të verbuar, sa që pa iu dridhur dora i ka dhënë kompanisë të drejtë në shkallën e parë, ndërkohë që ligji është i qartë, sasia e gjobës për metër katror shtesë pa leje përcaktohet me ligj, metrat katrorë shtesë pa leje janë aty…

Sinqerisht, ju që shani e akuzoni qorrazi këtu, mund të keni një mijë e një arsye për të mos votuar për mua apo për të menduar, se politikanët janë të tërë njësoj, por ama, të mos e shohësh vullnetin e plotë për t’i dhënë një goditje finale këtij fenomeni të shëmtuar dhe të mos e kuptosh, se këtë vullnet mund ta ketë vetëm kush as është i kapur prej parellinjve, as kapet dot me asnjë lloj shume parash, kjo është të tallesh keq me veten në rastin më të mirë ose në rastin më të keq, kjo është të jesh një i korruptuar potencial, që s’e koncepton dot në botë se paraja nuk është gjithçka…”, shkruan Rama.

Ora 10:13
Miliardat e parasë së krimit ‘lahen’ te kullat? Rama: Broçkulla, turp i madh! Transformuan Tiranën nga katund në metropol

 

Kreu i qeverisë, Edi Rama është shprehur se ndërtimet në Tiranë po e tranformojnë kryeqytetin nga një katund i madh në një metropol.

‘Ky përshkrim i komunitetit rom është e kaluarës, situata shumë ndryshe nga sa ka qenë. Janë zmadhuar në gjerësi apo lartësi, por jo duke marrë tokë tjetër se nuk i lejon njeri ti marrë.

Këto janë ekonomi, i blejnë shqiptarët. Ato broçkullat me miliardat e parasë së krimit që lahen në këto ndërtime, janë turpe të mëdha për ata që i bëjnë. S’kanë bazë argumenti, s’kanë dokument faktik. Nga ana tjetër një kullë punëson afro 1000 vetë në sistemin e ndërtimit, pastaj sjell të ardhura si taksë mbi pronën, strehim, mjedise biznesi, patjetër punësim për shërbime dhe vizitorë. Kjo varet e gjitha nga cilësia, arkitektura. Koha do jetë zonja e rëndë që do flasë, këto ndërtime që po transformojnë Tiranën nga një katund i madh kaotik si ai gjeta unë në një metropol rajonal, janë ato që po i japin Tiranës identitetin e një kryeqyteti me histori dhe të ardhme.’- tha Rama

Ora 10:04
Rama: Kjo drejtësi më bën për të vjellë! I çon aty 4646 m2 pa leje ja lexon ligjin dhe ta rrëzon me çekiçin e papërgjegjshmërisë

 

Kryeministri Edi Rama u shpreh edhe njëherë për paaftësine e ligjit dhe drejtësisë të cilët kanë papërgjegjshmëri totale për të zbatuar ligiin.

Kur më thua drejtësia që keni më vjen realisht të vë ulërimën, është drejtësia që ne po luftojmë. Nga kjo drejtësi mua më vjen për të vjellë, që ja çdon aty 4646 m2 ja lexon ligjin dhe të rrëzon me çekiçin e papërgjegjshmërisë totale. Ja kjo është drejtësia që më bën për të vjellë. Mos u sorrollat në asnjë derë se i ke online.- tha Rama. 

Ora 10:00
Ndërtimet pa leje, Rama: Janë kallëzuar 40 subjekte, 18 kryetarë bashkie e komune, 25 kryeinpektorë të IMT-së si dhe drejtorë të Urbanistikës e Aluiznit

Kryeministri Edi Rama ka drejtuar gishtin ndaj drejtësisë sa i përket lejimit të ndërtimeve pa leje. Kreu i qeverisë foli me shifra ku tha se deri tani janë kallëzuar 40 subjekte, 18 kryetar të bashkive e komunash, përfshirë dhe socialistë, 12 drejtorë Urbanistike, 25 kryeinspektorë të IMT si dhe 2 drejtorë të Aluiznit. Rama tha se emrat e tyre janë çuar në prokurori.

'Po jap dhe një shembull tjetër, se meqë po thonë se këtu nuk i sheh njeri, këtu të gjitha bëhen se ky i gjati... Inspektoriati kombëtar ka kallëzuar penalisht në gjithë këtë periudhë 40 subjekte ndërtuese, 18 kryetarë bashkish dhe komunash, nga të cilët jo vetëm kryetarë bashkish të palës tjetër, por edhe kryetarë bashkish të Partisë Socialiste, 12 drejtorë urbanistike nëpër bashki, 25 kryeinspektorë të inspektoriatit të Mbrojtjes dhe Territorit nëpër territor, 2 drejtorë rajonalë Aluizni dhe 4 anëtarë këshillash rregullimi të territorit. Janë këtu, janë me emra, janë me mbiemra. Pyetja është: Sa nga këta kanë shkuar përpara ligjit? Asnjë! Të gjitha këto dosje i ka zënë myku nëpër prokurorira. Dakord.’- tha Rama.