Gjyqi ndaj Laert Haxhiut, i cili po gjykohet veçmas si kreu i një grupi kriminal për 14 krime të rënda, përfshirë vrasje, atentate, shpërthime me tritol dhe grabitje me armë, vijoi me kërkesën e avokatëve të tij për të thirrur si dëshmitarë 60 persona. Haxhiu, që mbahet në burgun e sigurisë së lartë në Drenovë, nuk u paraqit vetë fizikisht në seancë.

Për episodin e tritolit në dyqanin e Noizy-t në Durrës, avokatët e tij kërkuan të thirret si dëshmitar Bashkim Rajku, babai i reperit të njohur, dhe Kleviol Ahmetaj, reperi i njohur si “Cllevio”, i ekstraduar pak muaj më parë nga Dubai.

Prokurori i SPAK, Behar Dibra, kërkoi që radha e marrjes së provave nga organi i akuzës të nisë me dëshminë e bashkëpunëtorit të drejtësisë Artan Tafani, rrëfimi i të cilit ‘çmontoi’ bandën e Laert Haxhiut.

Nuk dihet nëse Laert Haxhiu do të paraqitet në seancën e ardhshme që u la në 29 prill në orën 08:30 për t’u ballafaquar në GJKKO me ish-shokun e tij.