TIRANE- Seanca e dytë e zhvilluar ndaj grabitësit të bankave Viktor Gushi, ka vijuar me dëshmitaren e radhës, një punojëse e një prej bankave të grabitura në Tiranë. Ajo ka treguar për trupin gjykues, sesi kanë rrjedhur ngjarjet. Skenari është pothuajse i njëjtë, hyn në bankë drejton pistolentën dhe merr paratë. Më pas largohet qetësisht. Kush bën rezistencë vritet, kush dorëzon paratë ja del paq. Anita Metani, 28-vjeçarja nga Tirana, ka qenë dëshmitarja e radhës në gjyqin ndaj Viktor Gushit. Ajo ka rrëfyer për një grabitje të ndodhur në prill të 2009, në filialin e një banke në Rrugën "Ferit Xhajko". Sipas Metanit, Gushi ka hyrë në bankë qetësisht. "Kishte veshur një shall, për të mbuluar pjesën e poshtme të fytyrës", është shprehur arkëtarja. "Në dorë mbante një pistoletë të vogël ngyrë gri, si dhe në kokë kishte veshur një çorape. Në 1 minutë që qëndroi në bankë më tha vetëm dy fjalë, 'Mbushe ose ndryshe të vrava'", tregon arkëtarja, duke shtuar se, e ndjerë nën kërcënim dhe e frikësuar, i ka dhënë rreth 1 milionë lekë Gushit. Ky i fundit akuzohet për 16 grabitje, si dhe vrasjen e një arkëtareje dhe një argjendari.
Ndërkaq, gazeta Shqiptarja. com, zbardh dëshminë e arkëtares në sallën e gjyqit.

Prokurori: Çfarë mbani mend nga grabitja e prillit të 2009 në bankë?

Unë isha në arkë, teksa po i shërbeja një klienti. Në moment, më vjen një përson me një shall në fytyrë dhe me pistoletë në dorë. Më hedh një qese plastike dhe më thotë, "mbushe".
Gjykatësi: Ju si reaguat?

Unë hapa arkën, në të cilën kisha paratë në prerje të hollë dhe fillova t'i fusja në qese. Por ai më tha: "mbushe plot se të vrava". Në këtë moment, hapa sirtarin në të cilin kisha prerja të mëdha dhe i futa në qesen plastike. Ndërkohë kisha shtypur alarmin.

Gjykatësi: Si ishte veshur autori?

Veshjen nuk e mbaj mend, po më kujtohet që shalli që kishte vënë në fytyrë, ishte përafërsisht me ngjyrat e flamurit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pistoleta ishte e vogël dhe kishte ngjyrë gri. Ndërkohë në dorën që mbante pistoletën, kishte veshur një corape, material lino.

Gjykatësi: Sa lekë arriti të merrte grabitësi?

Paratë që i dhashë, ishin të bëra gati për një klient, i cili do t'i tërhiqte nga llogaria e tij. Besoj se shkonin te nëntëqind e tetëdhjetë mijë lekë të reja.

Prokurori: Sa kohë ndenji në bankë?

Besoj te 30 sekonda, maksimumi një minutë. Menjëherë sa mori paratë u largua.

Gjykatësi: E patë nga u largua?

Jo, nuk e vura re sepse isha e terrorizuar. As kur hyri dhe as kur doli.

(Shkrimi u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com)

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)