Richard Grenell, i dërguari i Presidentit Amerikan Donald Trump për misione speciale thotë se ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi po mbahet në burgun e Hagës pa gjyq.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Grenell u shpreh se Europa ka dështuar dhe nuk po reagon në lidhje me padrejtësinë që po i bëhet Thaçit. Sipas tij, Thaçi duhet të padisë Hagën në gjykatë amerikane.
“Ka shumë arsye pse Europa po dështon. Por një shembull është numri i madh i politikanëve evropianë që heshtin për Hagën që mban një Kryetar Shteti në burg për 5 vjet pa gjyq. Dhe pastaj gjyqi zgjat më shumë vite.
Është një sistem brutal arkaik i drejtuar nga elitat. Kjo nuk është drejtësi. Dhe askush nuk duhet të marrë më kurrë këshilla gjyqësore nga një evropian. Shpresoj që Hashim Thaçi t’i padisë të gjithë në Hagë në një Gjykatë Amerikane kur të jetë jashtë - në fund të fundit, janë para të taksapaguesve amerikanë”, shkruan Grenell.
Grenell ka qenë një ndër kritikët më të zëshëm ndaj kësaj gjykate.
Më 19 tetor në një tjetër reagim kundër kësaj gjykate e cila po gjykon padrejtësisht ish-krerët e UÇK-së, Grenell tha se është totalisht e korruptuar.
Grenell ka kritikuar gjithashtu edhe presidenten e KE-së Ursula Von der Leyen, duke u shprehur se nuk ka bërë asnjë reagim për faktin se Gjykata e Hagës mban për pesë vite në paraburgim Hashim Thaçin, vetëm se ky i fundit do takohej me Trump për një marrëveshjeje paqeje që përfshinte shpërbërjen e punës së Jack Smith dhe gjykatës.
Në Gjykatën Speciale në Hagë po zhvillohet procesi kryesor ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza që të katërt i kanë mohuar.
Komente







