Gjatë së premtes, në Hagë do të vazhdojnë deklaratat përmbyllëse nga ekipet mbrojtëse të Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Kjo është dita e pestë e gjyqit.
Të enjten, ekipi mbrojtës i Veselit përmbylli fjalën e tij, duke argumentuar se ish-kryeparlamentari i Kosovës është i pafajshëm dhe duhet të lirohet. Në të kundërtën, tha avokati tij, "do të ishte padrejtësi e madhe".
Mbrojtja e Veselit ka insistuar se ndaj tij nuk ka prova dhe as dëshmitar të paraqitur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.
Avokatët hodhën poshtë pretendimet e ZPS-së se komunikatat e UÇK-së ishin bazuar në informacionet e inteligjencës nga Veseli si udhëheqës i shërbimit zbulim-kundërzbulim.
Pasdite, mbrojtja e Rexhep Selimit nisi fjalën përmbyllëse. Avokati Geoffrey Roberts, tha se klienti i tij është tërësisht i pafajshëm. Ai argumentoi se nuk kishte Ndërmarrje të Përbashkët Kriminale, siç pretendon Prokuroria.
Roberts tha se Selimi luftoi për liri, e jo për pushtet, siç ka argumentuar ZPS-ja. Ai po ashtu vuri në dyshim besueshmërinë e dëshmitarëve të Prokurorisë.
Mbrojtja e Thaçit është përmbyllur më herët, duke argumentuar se nëse ai dënohet do të ishte "padrejtësi ligjore dhe historike". Prokuroria ka kërkuar që katër të akuzuarit të dënohen me nga 45 vjet burgim e cilësoi si "burgim të përjetshëm".
Pas përmbylljes së deklaratave, çështja do të kalojë te trupi gjykues. Gjykatësit kanë tre muaj kohë që të marrin një vendim për çështjen, ose të kërkojnë zgjatjen e afatit për marrjen e vendimit.
Komente










