Akuzohen se rekrutuan luftëtarë shqiptarë duke i dërguar për Xhihad në Siri dhe si financues të terrorizmin, por nuk pranojnë të gjykohen me ligjet shqiptare dhe nga kafazi i hekurt i Gjykatës së Krimeve të rënda kërkojnë që procesi ndaj tyre të zhvillohet me ligjet e Allahut.
 
Ka qenë kjo kërkesa e shqiptuar nga Fadil Mulosmani, teksa gjykatësja Liljana Baku kërkonte nga të pandehurit nëse kanë apo jo pretendime në lidhje me trupin gjykues apo duan të përfaqësohen me avokat.
 
Të njëjtin qëndrim ka mbajtur dhe Imami i vetëshpallur Gerti Pashaj, duke deklaruar se ai nuk e njeh gjykatën dhe kërkoi rikthim në liri pasi sipas tij ai është rrëmbyer dhe sjell forcërisht në sallë, ndërsa për Bujar Hysën gjykata po luan teatër me ta.
 
Gjykatësja Baku vendosi të shtyjë seancën për të martën e ardhshme, pasi u kërkua që të ishte i pranishëm i pandehuri Orjon Reçi, i cili kërkon që të shpallet i paligjshëm përgjimi i prokurorisë së krimeve të rënda ndaj besimtarëve.
 
Astrit Tola një nga 9 të pandehurit në këtë proces kërkoi që ti veçohej gjykimi, duke argumentuar se ai nuk ka lidhje me akuzat dhe është vetëm një besimtar i devotshëm, por gjykata refuzoi kërkesën duke lënë në fuqi akuzat.
 
Në sallë nuk mungoi prania maksimale e familjarëve dhe të afërmve, teksa masat e sigurisë si dhe një seancë më parë ishin me forca speciale.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)