Mali i Zi e nis me tre ditë zie vitin 2025 pas ngjarjes tragjike të ndodhur në 1 janar në Cetinjë, 30 kilometra larg Podgoricës. 12 persona u vranë mes tyre 2 fëmijë dhe 4 të tjerë u plagosën. Autori i dyshuar Aco Martinoviç qëlloi veten në kokë pranë banesës së tij, i rrethuar nga policia pasi ishte ndjekur prej orësh.
Media malazeze Vijesti, shkruan se autorit iu gjetën në xhep 80 plumba. Përveç municionit të gjetur në xhepat e tij, në karikatorin e pistoletës i janë gjetur edhe disa fishekë të tjerë të kalibrit 9 mm.
Masakra ndodhi në tavernën "Velestovo" afër Qendrës Sportive në hyrje të Cetinjës dhe mes viktimave është edhe pronari i lokalit dhe disa anëtarë të familjes së tij. Sipas prokurorisë së Malit të Zi, Martinoviç ka vrarë 12 persona në 5 zona të ndryshme dhe dy fëmijët viktima janë të moshave 10 dhe 13 vjeç vëlla e motër. 4 të plagosurit janë në gjendje të qëndrueshme thonë autoritet spitalore, por një prej tyre në gjendje kritike pasi ka pësuar lëndime në kokë.
Sipas drejtorit të Drejtorisë së Policisë, Llazar Shqepanoviç, autori Aco Martinoviç ndodhej në vendbanimin Humci në Cetinje, kur 'E rrethuan. Ai ishte në një situatë të pashpresë, i rrethuar nga të gjitha anët dhe pas urdhrit për të ulur armën, ai qëlloi veten në kokë’.
Ende nuk dihet motivi i kësaj tragjedie, ndërsa mësohet se autori ka qenë në tavernën duke pirë gjatë gjithë ditës dhe sipas familjarëve kishte devijime të caktuara në komunikim dhe të gjithë njerëzit që vrau ishin kumbarët, miqtë, shokët e tij, me të cilët ai kaloi më së shumti kohë.
Kryeministri malazez, Millojko Spajiç e ka përshkruar rastin si tragjedi të tmerrshme duke paralajmëruar ashpërsimin e kritereve për mbajtjen e armëve.
“Do të shqyrtojmë ndalimin e plotë të mbajtjes së armëve,” ka thënë Spajiç.
Ministri i Punëve të Brendshme, Danillo Sharanoviç, tha në një konferencë të jashtëzakonshme në mesnatë se vrasjet nisën pas një zënke në lokal.
Autori i dyshuar i vrasjes Martinoviç ishte dënuar me një vit burgim me kusht në vitin 2005 për sjellje jo të mirë, por nuk është konsideruar si person me interes për sigurinë, ka thënë ministri Sharanoviç. Sipas tij, në vitin 2022 tek autorit i janë gjetur armë dhe eksploziv, për të cilat është dënuar në shkallën e parë me tre muaj burgim.