Avokati i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i ka kërkuar GJKKO-së që t’i vendosë në dispozicion të gjithë fashikujt e dixhitalizuar të dosjes. Plarent Ndreca u shpreh se në dosje ka përgjime që vetë mbrojtja nuk i ka dëgjuar, por është njohur me to vetëm përmes procesverbaleve, të cilat shtoi se janë interpretime të SPAK.
“Në dosje ka përgjime, por ne nuk i kemi dëgjuar dhe nuk kemi CD-të; kemi vetëm disa procesverbale që, sipas nesh, janë interpretime. Ne duam të kuptojmë vetë kontekstin. Kërkojmë që të na vihen në dispozicion, në formë të dixhitalizuar, të gjithë fashikujt hetimorë”, tha Plarent Ndreca.
Po ashtu, Ndreca ripërsëriti kërkesën që Veliaj të mos qëndrojë në kafaz gjatë zhvillimit të seancave.
“Veliaj të nxirret nga kafazi në gjykatë, si në Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, ku nuk pati asnjë problem. Në të kundërt, cenohet barazia në proces. Merrni masa për këtë”, tha Plarent Ndreca.
Lajmi kryesor:
Veliaj kërkon gjyq live, GJKKO e rrëzon: S'pranojnë të pandehurit e tjerë! Dumani: Nuk mund të ekspozohen dëshmitarët! Rrëzohet kërkesa për të marrë fashikujt në mënyrë dixhitale











