Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj i është drejtuar sërish me një letër GJKKO-së, në të cilën thotë se nuk mund të marrë pjesë në senacë për shkak të gjendjes së përkeqësuar të këmbës. Veliaj i kërkon GJKKO-së që të marrë një vendim për operacionin e tij.

Veliaj refuzoi operacionin në spitalin Memorial të Fierit dhe në letër thotë se kërkon që të bëhet operim me mjekun që zgjedh familja e tij. “Nuk duhet të vendosë askush kush më fut në narkozë”, thekson Veliaj në letër, ndërsa në një reagim të dy ditëve më parë Veliaj tha se nuk mund t’ia besojë jetën një spitali ku e ka dërguar kryeministri Edi Rama.

“Megjithë vullnetin tim për të marrë pjesë në seancë gjyqësore, e kam të pamundur për shkak të këmbës së thyer. Në vijim të shkresës suaj dhe të prokurorisë, mbrojtja ime do t’ju vërë në dispozicion disa shkresa shëndetësore”, thuhet në deklaratë.

“Jam i ndërgjegjshëm kush më transferoi dhe kush do të vendosë për shëndetin tim. Nuk kërkoj as botox, as mbjellje flokësh, as të zbardh dhëmbët, por të operohem nga një mjek në spitalin që zgjedh familja ime”, është shprehur Veliaj.

“Nuk duhet të vendosë askush kush më fut në narkozë. Ndaj kërkoj nga GJKKO të ndërhyjë dhe të marrë një vendim”, ka deklaruar Veliaj.


Lajmi kryesor:

Gjyqi/ Mungon Veliaj: Nuk vi dot prej këmbës! Kërkesë GJKKO: Vendosni për operimin, s’po kërkoj botoks, por një mjek që ta zgjedhë familja