Gjyqtarët e zgjedhjeve
vendimet pro PS dhe PD

Gjyqtarët e zgjedhjeve <br />vendimet pro PS dhe PD
Janë përzgjedhur dje 8 gjyqtarët që do të kenë në dorë vendimarrjen për të gjitha mosmarrëveshjet që do të lidhen me zgjedhjet e 23 Qershorit..të vitit të ardhshëm. Në një proces transparent KLD-ja bëri përzgjedhjen e gjyqtarëve dje njësoj si në një lojë "telebingo" ku emrat u zgjodhën me gogla. Ishin gjithsej 48 kandidatura, të gjithë gjyqtarë të gjykatave të Apelit të vendit. Por vetëm 8 prej tyre u përzgjodhën nga shorti, ndërsa lista e zbardhur dje ofroi ndër të tjera dhe tre emra gjyqtarësh që në katër vitet e fundit kanë dhënë vendime edhe në lidhje me problemet e zgjedhjeve të kaluara.

Një prej tyre është Andi Civici. Ai është zgjedhur në vitin 2010 gjykatës në Apelin e Vlorës pas një karriere të gjatë në gjykatën e Fierit. Në prill të këtij viti Andi Civici ka qenë pjesë e trupit gjyqësor në Gjykatën e Apelit të Vlorës ku ka dhënë verdiktin në lidhje me çështjen gjyqësore për Këshillin Bashkiak të Patosit, pas përplasjeve të forta për mandatet mes pozitës dhe opozitës. Partia Socialiste ka bërë një padi për parregullsi në përzgjedhjen e antarëve të Këshillit Bashkiak të Patosit por pak muaj më vonë Andi Civici dhe dy kolegë të tij e kanë konsideruar të drejtë kërkesën dhe padinë e socialistëve. Trupa gjykuese e Apelit Vlorë, Hysen Saliko, Andi Civici dhe Sokol Ngresi, kanë theksuar në vendimin e tyre se Gjykata e Shkallës së Parë Fier, që ka rrëzuar padinë e të majtëve që kërkonin pavlefshmëri absolute të vendimeve të marra në rikonstituimin e kryer nga të djathtët, është kryer në kundërshtim me ligjin duke u hapur rrugë pretendimeve të opozitës.

Vjerdha
Një tjetër emër i përzgjedhur si antar i Kolegjit Zgjedhor është Fuat Vjerdha. Ai aktualisht është gjyqtar në Apelin e Shkodrës ndërsa përpara se të kalonte në sistemin e Apelit ai ka shërbyer si gjykatës në Lezhë. Ai ka marrë pjesë në një gjyq të zhvilluar në Apelin e Shkodrës në vitin 2010 ku KQZ-ja kishte paditur tre komisionerë socialistë për manipulime në zgjedhjet e zhvilluara në fshatin Juban të Shkodrës, por trupi gjykues mes të cilëve dhe Vjerdha ka rrëzuar këto pretendime, duke dalë madje me një konkluzion të tërësisht të ndryshëm nga pretendimi i KQZ-së. Në vendimin e gjykatës thuhet se komisionerët socialistët janë larguar nga një proces i manipuluar, se ata kanë debatuar më komisionerët e PD-së për parregullsitë e vërejtura dhe se kanë njoftuar KZAZ-në 41. "...anëtarët e të cilit kanë bërë numërimin e kundërfletëve të votimit dhe të votuesve që kishin votuar dhe në vend që ky numër të dilte i barabartë, çka do të tregonte për një proces votimi normal, ka rezultuar se kishte një diferencë prej 25 fletësh më shumë sesa numri i votuesve të regjistruar. Pretendimi i komisionerëve të majtë... ka qenë se kjo parregullsi e konstatuar dhe provuar, ka ndodhur me vullnetin e komisionerëve të djathtë", shkruhet në vendimin e firmosur nga gjyqtari Vjerdha dhe dy kolegët e tij.

Gaba
Gjinovefa Gaba është një gjyqtare tejet e lakuar në media për shkak se ka qenë shpesh herë në epiqendër të penalizimit nga KLD-ja dhe Ministria e Drejtësisë në vitin 2006 madje dhe e akuzuar politikisht për lidhje të "errëta" nga Partia Demokratike. Por në të gjitha rastet kur ndaj saj është ndërrmarë procedim ajo ja ka dalë të fitojë betejën dhe ka rifituar pozicionin e saj sërish. Ajo aktualisht është gjykatëse e Apelit të Vlorës dhe më parë ka shërbyer në Vlorë si gjykatëse e shkallës së parë.

Edhe kjo gjyqtare rezulton se ka qenë e përfshirë në 4 vitet e fundit në procese gjyqësore ku PD dhe PS kanë patur kontestime për kostituimet e organeve vendore. E tillë ishte dhe beteja për Qarkun e Fierit. Shtatë muaj më parë Gjykata e Apelit të Vlorës pasi shqyrtoi dhe pa provat përkatëse, vendosi të rrëzojë kërkesën e institucionit të prefektit të qarkut Fier, në lidhje me pezullimin e vendimeve të mbledhjes së Këshillit të Qarkut Fier dhe të lërë në fuqi këto vendime të mbledhjes së datës 21 Shtator. Ky është vendimi pas konfliktit mes socialisteve e demokrateve për kreun e Këshillit te Qarkut te Fierit. Trupi gjykues i përbërë nga Gjinovefa Gaba, Hiba Bezati dhe Vasil Hanxhari, ka prishur vendimin e Gjykatës se Fierit, si dhe ka rrëzuar padinë e prefektit që kërkoi pezullim të akteve të dala nga mbledhja e datës 21 shtator, ku u zgjodh në krye të këshillit socialisti Vangjel Ndreka. Pas këtij vendimi ky i fundit është rikthyer në zyrën e tij, duke rinisur detyrën, por ndërkohë, Prefekti vijonte të mos e njohë Ndrekën si kryetar.

Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com(print), 8 dhjetor 2012

(ad.ti/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A ka qenë Vettingu i gjyqtarëve e prokurorëve proces i besueshëm?



×

Lajmi i fundit

Dumani tek 'Ligjet': Krimi i Organizuar ka kërcënuar prokurorët e SPAK! Problem mbetet mbrojtja e familjarëve të tyre

Dumani tek 'Ligjet': Krimi i Organizuar ka kërcënuar prokurorët e SPAK! Problem mbetet mbrojtja e familjarëve të tyre