Ditën e sotme, Komisioni i Vetingut, me trupë gjykuese të përbërë nga Firdes Shuli, Suela Zhegu dhe Brunilda Bekteshi, ka vendosur përjashtimin për 15 vjet nga drejtësia të gjyqtarit të Tiranës, Sokol Tona. Vendimi i ka ardhur pasi gjyqtari Tona kishte paraqitur një kërkesë pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor në 12 nëntor 2021 për të dalë në pension të parakohshëm. Gjyqtari del në pension në moshën 67 vjeç, ndërkohë që Tona është 63 vjeç. Procesi i rivlerësimit për gjyqtarin e Tiranës kishte nisur që në dhjetor të vitit 2019. Për ta zbutur largimin nga drejtësia për të evituar përballjen me Vetingun, Toma ka bërë kërkesën për përfitim të parakohshëm të pleqërisë.

Sokol Tona është një emër i njohur në sistemin e drejtësisë. Tona ka rrëzuar procedurat e prokurorisë për të marrë të pandehur ish-zëvendësministrin e Transporteve, Armand Telitin dhe ish-drejtori juridik, Andi Toma për dosjen e abuzimit me rrugën Durrës-Kukës. Pas këtij vendimi, ish-ministri i Transporteve, Lulzim Basha, i kërkoi Gjykatës së Lartë pavlefshmërinë e dosjes "Durrës-Kukës" dhe ashtu ndodhi.

Tona ka marrë pjesë pjesërisht edhe në çështjen ‘Gërdeci’, pasi në dhjetor të vitit 2012, njohu përfitimin nga amnistia të 4 të akuzuarve për Gërdecin, biznesmenin e hekurit Mihal Delijorgji, ish drejtorin e fabrikës së Gërdecit, Dritan Minxolli, ish-kreun e MEICO-s, Ylli Pinari dhe specialistin e armatimeve, Sokol Ngjeci, të cilët akuzoheshin për plagosje të rëndë nga pakujdesia.

Në mars të vitit 2015, gjyqtari Sokol Tona ka marrë pjesë edhe në procesin ndaj Konstandin Xhuvanit, djali i ish deputetes dhe aktores Luiza Xhuvani, i akuzuar për vrasjen e katër personave. Xhuvani u dënua me 35 vite burg, duke i shpëtuar dënimit me burgim të përjetshëm. Tona është bashkëshorti i këngëtares Manjola Nallbani. Kjo e fundit, ka rrëfyer se “Bashkëshorti im është shumë i mençur, (jo se është bashkëshorti im). Ai nuk është as liberal, as konservator. Në fillim ishte xheloz sepse nuk më njihte, tani që më njeh nuk ka nevojë të jetë as njëra e as tjetra se e di kë ka në shtëpi”.

 

Përgënjeshtrim!
Në lidhje me shkrimin e botuar ku në mënyrë absolutisht të pasaktë përcaktohet se Gjyqtari Sokol Tona, përjashtohet nga sistemi gjyqësor, përgënjeshtroj sa vijon: Unë jam larguar nga sistemi me kërkesë timen dhe në plotësim të kritereve të vendosura nga Ligjvënësi për përfitim të pensionit të parakohshëm të pleqërisë, si për vjetërsinë në profesion ashtu edhe për vjetërsinë në moshë,kërkesë e cila është pranuar dhe miratuar me Vendimin nr.49 datë 08.02.2022 të Këshillit të Lartë Gjyqësor, ku për pasojë u ndërpre edhe procesi i vettingut ndaj meje me vendimin dt 03.03.2022 të KPK, me ndalimin për të mos kandiduar në sistem për një periudhe 15 vjeçare.

Dokumenti që vërteton miratimin e pensionit për Sokol Tonën