Gjyshi im Hasan Dino dhe Dinejtë e Çamërisë dhe Pavarësisë

Gjyshi im Hasan Dino dhe Dinejtë e Çamërisë dhe Pavarësisë

Hasan Dino

Gjyshi im, babai i mamasë, ishte një ruajtës sekretesh. Të Çamërisë dhe të njerëzve fisnikë të saj. Në Shijakun e vogël, ku ai u vendos pas çrrënjosjes nga Çamëria, bashkë me atë që kishte mbetur nga familja e masakruar Dino (fëmijët e tij e fëmijë të tjerë të mbetur jetimë) solli me vete një përbërje të çuditshme, të padukshme, misterioze që ishte gatuar me fisnikëri, maturi, mençuri, dituri. Të gjithë ja njhnin këto vlera. Ai ishte pasardhës i Abedin Dinos së Lidhjes së Prizrenit, i Rasih Dinos së Konferecës së Paqes, kushëri i Mazar e Nuri Dinos, që bënë të pamundurën të shpëtonin Çamërinë nga masakrat e Zervës e që veç grekëve, më pas edhe shqiptarët e Enver Hoxhës i damkosën si kolaboracionistë.

Të gjithë ata që e njohën gjyshin tim dëshmojnë për një pastërti e sinqeritet të mendimit, mençuri e maturi të fjalës dhe një zgjuarsi të dallueshme, të natyrshme. Nën regjimin komunist ai mbijetoi duke punuar si një nëpunës i thjeshtë magazinash, duke mbajtur me vështirësi familjen e tij të madhe, ku në kurriz, më shumë se varfëria, shtëpia me lagështirë, i rëndonte historia e familjes së tij e vëzhgimi nga regjimi. Ai në Shijak, për sistemin, nuk ishte pasardhësi i Dinejve të Pavarësisë, por i Dinejve “bashkëpunëtorë” të pushtuesit. Ishte koha kur shqiptarët admironin “njollat” në biografi.

Gjyshi im Hasan Dino, ishte dera dhe zemra e hapur për çamët e tjerë të shtypur e të vëzhguar nga regjimi, si kushërira e tij Xhemile Dino Vrioni, nëna e Jusuf Vrionit, e internuar në Katër rrugët e Shijakut. Vinin dhe e takonin Frashërllinj, Vrionas, zotërinj me kapelet e pluhurosura dhe zonja me peliçet e sëndukëve të kohëve të shkëlqimit, duke kujtuar me të Çamërinë dhe kohët kur çamët ishin më të lirë të luftonin e të përballeshin me çdo armik, veç me atë më të egrin: komunistët e pashpirtë të diktaturës; por mbi të gjitha, kohët kur ishin të lirë të studionin e të përparonin përmes diturisë.

Gjyshi im dhe jeta e tij e shtypur nën diktaturë, në Shijakun e vogël, ishte shembulli se si do të ishte vyshkur cilido shpirt i lirë, nga familje të mëdha, që luftuan për Pavarësinë e Shqipërisë dhe për të mirën e saj, po të kishin qëndruar në Shqipëri. Të gjithë fëmijët e tij nuk patën mundësinë as të studionin në shkolla të larta. U bënë artizanë të mirë, qytetarë të mirë, por familjes së Hasan Dinos, regjimi i hoqi atë që Dinejtë dinin të bënin më mirë se kushdo qoftë nën sundimin turk, qoftë në atë grek: Ndriçimin.

Sot, disa të privilegjuar të kohës së Diktaturës, ata që për fat të historisë nuk u shtypën, por u favorizuan nga nomenklatura në 45 vite izolim, nuk mund të kuptojnë për shembull se si Mid’hat Frashëri i familjes së patriotëve Frashërllinj, arriti të dallojë se Komunizmi do të ishte e keqja më e madhe për Shqipërinë dhe gjykojnë sot ata njerëz që patën kurajon të distancoheshin atëherë e i etiketojnë si kolaboracionistë me armikun. Mid’hat Frashëri e kishte bagazhin e duhur të parashihte çmendurinë më të madhe që do të ndodhte në Shqipëri. Atë çmenduri, gjyshi im i butë, i mençur, përfaqësuesi i Dinejve të Diturisë e të Pavarësisë,  e përballoi në heshtje, në vuajtje e me dinjitet. E imagjinoj, gjyshin tim, deri në fund, i habitur, i pabesueshëm me atë që e priti dhe përjetoi në Shqipëri.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Atentati në Vlorë, 30 plumba drejt makinës së Kevin Hajrullës

Atentati në Vlorë, 30 plumba drejt makinës së Kevin Hajrullës