Kur lexova për herë të parë kujtimet e At Zef Pllumit, sidomos faqet e arrestimit të tij dhe torturat në një shtëpi të sajuar si burg pas çlirimit në Shkodër, më erdhi në mendje papritur gjyshi im, Abdulla Malltezi, të cilin e kam parë vetëm në foto. Nuk e di pse ato rreshta të tmerrshme torturash, rrëfyer nga Ati i mençur e i vuajtur për atë shtëpi shkodrane, me njerëz të varur në pjeshkë, në shkallët e drunjëta, të futur në dollapë e të mbyllur në biruca, më sollën afër shpirtin e vuajtur të gjyshit tim dhe ankthin e jetës së tij në Shijakun e vogël.
Ai ishte tregtar i ardhur nga Nikshiqi i Malit të Zi dhe pas çlirimit u arrestua dhe u torturua me qëllim që të tregonte se ku i kishte fshehur "florinjtë". Tetë muaj për të ishin fatalë, kur doli nga burgu, sigurisht pa treguar florinjtë që nuk i kishte pasur kurrë, u mbyll në vetvete, u trishtua e pezmatua. Babai im dhe xhaxhallarët e mi thonë se nuk e mori më kurrë veten.
Gjyshi im, tregojnë, ishte njeri ndryshe: Punëtor, vishej me sqimë dhe pëlqente dhe punonte me Italinë, i zgjidhte miqtë, si tregtar mbante çmime më të ulëta se tregtarët e tjerë, nuk ishte lakmitar, kishte bërë një shtëpi të thjeshtë dhe të bukur dhe jetonte sipas vizionit të tij, pa u shqetësuar shumë për mendjet e provincës. Kjo, mesa duket, e kishte të bërë të mos ishte shumë "popullor".
Edhe pse tregtar, rregullisht kontribuonte për Luftën Nacionalçlirimtare me një kuotë fikse dhe bashkë me miqtë e tij mblidhte ushqime për t'ua nisur partizanëve. Kishte strehuar për dy javë në shtëpinë e tij partizanin më të vjetër në gjithë Ballkanin, Sheh Adem Rodën atëherë mbi 90 vjeçar dhe siç e mësova shumë më vonë, ishte shok me Qemal Stafën, ose të paktën kontakti që e frymëzonte për të kontribuuar për një Shqipëri më të mirë.
Fotografia që po publikoj është e vitit 1942 dhe gjyshi im (i pari, sipër, djathtas) me Qemal Stafën, (i dyti sipër, majtas) ka dalë në një nga takimet për mbledhjen e fondeve, ushqimeve dhe veshjeve për partizanët. Eshtë një fotografi që nuk e ka përdorur, valëvitur asnjëherë, ashtu siç nuk ka rrahur gjoksin as për kuotat që jepte me zemër dhe as për strehimin dhe shpëtimin e Sheh Adem Rodës. Janë të gjitha gjëra që i kemi mësuar shumë shumë vonë. Kështu siç është e këtyre ditëve fotoja me Qemal Stafën.
Në 11 muajt e torturave pas çlirimit, nga njerëzit që kishte ndihmuar, askush nuk e ndihmoi atë. Askush nuk tha një fjalë kur i sekuestruan shtëpinë dhe e çuan në një barrakë bashkë me gjashtë fëmijët e tij, askush nuk e ndihmoi kur nuk i jepnin asnjë punë dhe as kur i mohonin shkollën fëmijëve të tij.
Po të shoh me sytë e mi sot, atë që ishte Shqipëria pas çlirimit, mund të kuptoj mirë se çfarë ndodh me cilindo shqiptar që merr pushtetin në dorë. Endërrimtarët, idealistët, njerëzit e drejtë, të punës dhe të ndjenjave njerëzore, janë të parët që shmangen, mënjanohen. Që pas çlirimit, nën shembullin e më të eturit për pushtet, Enver Hoxhës, liderët shqiptarë zgjedhin afër tyre, ose promovojnë individë të gatshëm të bëjnë "punët e pisëta" dhe të dinë të mbajnë me çdo kusht e ç'do rrethanë të mbyllur gojën. Partizanët më të mirë e më të ndershmë, qytetarët që ndihmuan e besuan me gjithë shpirt për ndryshimin u mënjanuan, dënuan dhe torturuan. Ata të kompromiseve dhe intrigave arritën të mbijetojnë e të kenë më të mirën. A nuk vazhdoi kështu edhe në vitet e demokracisë?
Foto e gjyshit tim, dalë në 1942 është bërë në shtëpinë e një tjetër patrioti shijakas, Ali Dashit. Shijakas janë edhe të tjerët, veshur bukur dhe me ëndrra perëndimorësh.
Do të doja të bëhej sot një fotografi mbështetësish e kontribuesish partish politike, po prej Shijaku. Nuk e imagjinoj dot se si do të ishin të veshur, dhe cilët emra do të rreshtoheshin në mbështetje të demokratëve, socialistëve, agrarëve apo të cilësdo parti e ideologji të pas '90-s. Me siguri nuk do të mungonin varëset e floririt, xhinset versace, dhe e shkuara apo e tashmja si trafikantë droge apo qëniesh njerëzore.
Ky ishte Shijaku i gjyshit tim para çlirimit, nuk dua të flas për Shijakun e ditëve të sotme.