Mohamed Salah kundër Edin Dzeko, miq dhe rivalë për një mbrëmje që premton spektakël në “Anfield Road”. Gjysmëfinalet e Champions League startojnë sonte me superndeshjen Liverpool-Roma. Dy skuadrat që janë surpriza e këtij edicioni do të “luftojnë” për një vend në finalen e madhe të Kievit. Liverpool është gati dhe trajneri Jurgen Klopp i ka të gjithë futbollistët në dispozicion.

Salah vjen në këtë takim përballë ish-skuadrës së tij si lojtari më i mirë në Premier ndërsa formacioni është ai i zakonshmi me Salah-Mane dhe Firmino në sulm.Trajneri gjerman Jurgen Klopp vlerëson kolegun Di Francesco dhe thekson:

“Kjo e sotmja është një ndeshje speciale pasi shumë mendonin se gjysmëfinalja do të ishte City-Barcelona por jemi ne dhe Roma. Kjo është e drejtë pasi e meritojmë. Roma do të na e bëjë jetën e vështirë por ne do provojmë deri në fund për të arritur finalen”, e mbyll Klopp.

Me entuziazëm e ka përgatitur edhe Roma këtë takim.Di Francesco pritet të luajë me skemën 3-4-2-1 me Dzekon në majën e sulmit i mbështetur nga Under e Nainggolan.Trajneri Eusebio Di Francesco është optimist dhe pas Barcelonës është gati të përballet edhe me Liverpool:

“Nuk kemi përgatitur ndonjë plan special për Salah por duhet të luajmë si skuadër. E dimë mjaft mirë ku jemi dhe jemi të bindur se mund të shkojmë në finale”, nënvizon trajneri i verdhekuqve. Ndërsa të mërkurën luhet Bayern-Real gjysmëfinalja e dytë e Champions.