Krijimi i një rrjeti kombëtar të institucioneve të kujtesës, të afta të marrin fonde dhe lidhin marrëveshje institucionale, propozohet nga drejtuesit e institucioneve kryesore të kujtesës në vendin tonë në ditën e parë të Forumit të sapokrijuar, “Glam Albania Forum 2026”.
Forumi bën bashkë institucionet kryesore të kujtesës: muze, arkiva, biblioteka, galeri dhe aktorë të rëndësishëm të kulturës dhe turizmit, për të diskutuar në mënyrë të thelluar rolin e tyre në zhvillimin e turizmit kulturor dhe në ruajtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare.
“Flasim sot për galeri, biblioteka dhe muze, me qëllim bashkimin e institucioneve të kujtesës dhe aktorëve kryesorë të kulturës dhe turizmit. Nuk jemi thjesht ruajtës të së kaluarës, por edhe interpretues të saj dhe njëkohësisht motor i zhvillimit kulturor dhe turistik.”, tha Majlinda Toçi, nëndrejtoreshë e Bibliotekës Kombëtare.
Forumi synon gjithashtu të nxisë përfshirjen e të rinjve dhe përdorimin e qasjeve inovative në promovimin kulturor, duke i bërë institucionet më tërheqëse për vizitorët vendas dhe të huaj.
“Institucionet e kulturës në vështrimin tim nuk duhet të jenë qasje individuale e momentit. Pra do duhet të ketë një orientim më të gjerë se kaq. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, ne, Galeria Kombëtare e Arteve duhet të kenë realisht politika kulturore afatgjata. Vetëm kështu mund të mund të vazhdohet. Orekset e momentit apo ndriçimet e momentit prishin punë ose ndreqin punë për momentin, por nuk zgjidhin asgjë në plan afatgjatë.”, tha Anisa Ymeri, drejtuese e Shtëpive- studio “Kadare-Agolli”.
Përfaqësues të institucioneve ngritën si shqetësim mungesën e bashkëpunimit dhe pengesat ligjore e financiare që shpesh pengojnë realizimin e këtyre projekteve të përbashkëta.
“Duhet të dalim nga nismat spontane dhe të krijojmë marrëveshje të qëndrueshme bashkëpunimi. Institucionet kanë nevojë për mbështetje financiare dhe për politika të qarta që të mos mbeten vetëm në ide. Ideja është nëse kjo platformë që ka një emër shumë të bukur që ja keni zgjedhur ju, do të dali në një përfundim ku këto institucione të jenë të investueshme sa i përket pjesës së turizmit kulturor apo promovimit apo çfarëdo qoftë, mos ngecemi më vetëm te: hajde se po e bëjmë këtë! Jam e sigurt nëse do kishte buxhet tjetër do ishte komplet një gjë madhore.”, tha Marinela Ndria, nëndrejtoreshë e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave.
“Glam Albania Forum 2026” pritet të vijojë me takime të tjera, për të konkretizuar nisma të përbashkëta dhe për të rritur ndikimin e institucioneve të kujtesës në zhvillimin kulturor dhe turistik të vendit. Forumi vjen në një moment kur Shqipëria po përjeton rritje të shpejtë të turizmit, çka sjell jo vetëm mundësi për promovimin e trashëgimisë kulturore, por edhe sfida për ruajtjen e autenticitetit dhe menaxhimin e flukseve turistike.
Qëllimi i këtij takimi është krijimi i një platforme dialogu mes ekspertëve, politikëbërësve dhe profesionistëve të kulturës, për të ndërtuar modele të qëndrueshme zhvillimi dhe për të forcuar bashkëpunimin ndërinstitucional.
Komente








