Përbërësit:
- 1 kg rrush
- 1 kg sheqer
- 1 gotë e ½ ujë
- Gjethe barbaroze
- Lëngu i një gjysmë limoni
Përgatitja:
Për të bërë gliko rrushi duhet të kemi rrush kokërrmadh pa fara. Nëse nuk kemi rrush pa fara, farat i heqim me anën e një shtize. Kokrrave të rrushit u hiqet bishti, lahen e kullohen dhe i lëmë në një enë me ujë të përvëluar. Pas 2-3 minutave i kullojmë dhe lëngun e ruajmë për shërbetin. Në një tenxhere me fund të gjerë hedhim sheqerin, shtojmë lëngun ku u përvëlua rrushi (1 gotë e gjysmë) dhe i lëmë të ziejnë për 10 minuta pasi ka arritur pikën e vlimit. Më pas hidhet rrushi dhe gjethet e barbarozës. I përziejmë me shërbetin dhe e heqim tenxheren nga zjarri. E lëmë në qetësi për 4-5 orë. Sërish e vëmë tenxheren në zjarr të ngadaltë dhe e lëmë të ziejë për 8-10 minuta. Këtë proces e përsërisim 2-3 herë derisa derisa shërbeti të trashet. 5 minuta para se ta heqim do të hedhim lëng limoni. Si zakonisht, glikonë nuk e lëvizim nga tenxherja për një kohë të gjatë (24 orë) derisa ajo të jetë ftohur plotësisht. Më pas e hedhim në kavanoza qelqi të larë e fshirë mirë ku mos ketë asnjë pikë ujë.