Godinat e reja te ‘5 Maji’ gati për të pritur banorët e prekur nga tërmeti, Veliaj: Të ndëshkojmë ata që pengojnë punën

Godinat e reja te “5 Maji” po bëhen gati për të pritur banorët që u prekën nga tërmeti. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi nga afër punimet ne godinat 27-28, ku tha se kantieri publik i “5 Majit” është ndërtuar me standardet më të mira, edhe se ato private, ndërsa njoftoi procesin e hedhjes së shortit për banorët që do të përfitojnë shtëpi të reja në këto godina.

“Unë nuk besoj se ka një kantier të privatit që të jetë punuar me cilësi, siç është punuar në kantierin publik të 5 Majit. Mbarimi i dy godinave të tjera, 27-28, na çon me një buqetë për të siguruar vendimin e Këshillit të Ministrave, që pastaj na autorizon që të bëjmë shpërndarjen. E di që kjo ka qenë një verë e gjatë, sidomos për ata që nuk janë larguar për pushime, por gushtin e kanë kaluar duke punuar dhe e vlerësoj jashtë mase.

Kemi pasur rreth 100 kantiere në Tiranë, shkolla, kopshte, çerdhe, ndërtesa sociale, konvikte, pallatet e tërmetit, hapësira të ndryshme të ndërhyrjes në lagje. Ne do kemi një proces të hedhjes së shortit ku do marrin shtëpi qytetarët që janë prekur nga tërmeti dhe katet e para, le të themi pjesët tregtare e komerciale, do jenë për ata që kanë qenë të investuar këtu prej vitesh, tek Bregu i Lumit, me prona dhe me investimet e tyre të biznesit, për t’ua kthyer prapë atë hapësirë në metra katrorë, prapë për efekt të biznesit”, tha ai.

Ai tha se është punuar me ritme më të shpejta se në vendet e BE që janë prekur nga tërmeti, pavarësisht bllokimeve nga politika.

“Nuk jam edhe aq mirënjohës për atë pjesë të politikës që edhe në këtë proces ka bërë vetëm pengesa. Shpresoj shumë që marrim një leksion të madh dhe dënojmë dhe ndëshkojmë ata që na pengojnë të punojmë dhe atyre që punojnë t’i japim gjithë fuqinë dhe gjithë energjinë e nevojshme për të shkuar sa më përpara. Megjithatë, kur mendoj që në vendet tjera të BE, apo në vende të tjera edhe më të pasura se ne, kanë arritur të bëjnë vetëm një fraksion të vogël të rindërtimit pas tërmetit. Mund të kishim pasur një rekord edhe më të mirë nëse politika nuk do futej në këtë histori”, u shpreh Veliaj.

Ai deklaroi se banesat e reja janë ndërtuar me standarde shumë herë më të mira se ato që prishi tërmeti, të cilat ishin ndërtuar kryesisht me punë vullnetare.

“Unë e kam parë këtë skenën lëvizëse të politikës që nuk fiton dot zgjedhjet. Njëherë kapet pas teatrit, pastaj kapet pas tërmetit, pastaj te bulevardi, pastaj te sheshi, pastaj te pazari, pastaj te Unaza e Madhe. Shtëpitë që prishi tërmeti ishin shtëpi skandaloze, ndërtuar ose me punë vullnetare ose me punë të detyruar të të burgosurve politikë, ose me punë vullnetare të një oficeri, të një pianisti dhe të një zyshe historie që nuk ishin për atë punë. Pallate të bëra me mjete rrethanore, me dije të pakta dhe në kushte skandaloze. Në këtë sens, nuk do të bëjmë aty ku ishte, ashtu siç ishte, por aty ku ishim, shumë herë më të mira se ç’ishin. Kjo vlen për pallatet, për teatrin, shkollat”, u shpreh kryebashkiaku.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:35
Veliaj inspekton godinat e reja te lagjja ‘5 Maji’: Gati hapja e shkollave, kopshteve dhe çerdheve të reja

 

Foto: Erion Veliaj

Në prag të vitit të ri shkollor, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj njoftoi hapjen e një sërë shkollave të reja, ku përmendi “Avni Rustemin”, por edhe kopshteve dhe çerdheve të reja në zonat e periferisë, si zona e Freskut, e lagjes “Rilindja”, tek Unaza e Madhe, siç është edhe zona e Liqenit të Thatë. Nga Lagjja “5 maji”, ku inspektoi punimet për lagjen e re, Veliaj nënvizoi se po merren të gjitha masat për të përballuar kërkesat e larta për regjistrim.

“Ne do të hapim edhe një sërë shkollash të reja. Mezi pres, “Avni Rustemi” është pa dyshim një shkollë në qendër të Tiranës, por kemi edhe shkolla në zonat rurale. Do të hapim disa çerdhe të reja, sidomos në zonat e periferisë, siç është zona e Freskut, e lagjes ‘Rilindja’, tek Unaza e Madhe, siç është edhe zona e Liqenit të Thatë. E di që kemi pasur një fluks të jashtëzakonshëm aplikimesh. Kur kemi marrë detyrën përpara 10 vitesh, kemi pasur më pak se 3 fëmijë në çerdhe, se asnjë nuk donte t’i çonte në çerdhe dhe kopshtet publike.

 Sot jemi 13 mijë fëmijë, pra jemi 10 mijë më shumë, sigurisht që kërkesa është edhe për më shumë. Kur i shoh që i heqin nga privati për t’i sjellë te publikja, do të thotë që kemi bërë diçka vërtet të mirë, megjithatë edhe në shtator do vijojmë të hapim çerdhe e kopshte të reja, sepse edhe kërkesa ka qenë e jashtëzakonshme”, u shpreh Veliaj.

Ai njoftoi se procesi i dezinfektimit do të vijojë kryesisht në shkolla, para nisjes së vitit të ri shkollor, ndërsa ftoi qytetarët të mos bëhen pjesë e histerisë që përpiqet të bllokojë punën e Bashkisë.

“Sa u përket shkollave, kam një kërkesë shumë të rëndësishme. Jemi në përgatitjet e fundit. Ne po fillojmë edhe këtu tek shkolla “Ardian Klosi” dhe shkolla të tjera, të bëjmë riparime, higjienizimin. Nëse nuk dezinfektojmë natën, aty ku mushkonjat bëjnë vezët, në ferra, në vijat e ujit, aty ku janë lulishtet, ku ka hapësira që tipikisht mushkonjat shumohen dhe vënë vezët e tyre, ne do kishim pasur një verë të tmerrshme, si ato që kemi pasur disa vite më parë. Fakti që kaluam një verë pa mushkonja do të thotë se qartazi shkenca e aplikuar në territor prodhon këtë rezultat”, tha ai.

Kreu i Bashkisë ftoi qytetarët që të përkrahin Bashkinë dhe punëtorët e Bashkisë kur i shohin që po kryejnë detyra e funksione jetike për qytetin.

“Kur shkenca, OBSH, thotë që duhet të dezinfektosh këto vende, nuk mund të dalë çdo njeri me probleme të shëndetit mendor e të bllokojë makinat e Bashkisë. Kur këta kanë edhe mbështetje politike, aty kupton që një pjesë e politikës po infektohet jo nga mushkonjat, por nga këto probleme të rënda të shëndetit mendor, ku i kundërvihemi shkencës, i kundërvihemi punës, të ardhmes së qytetit.

 Qytetarët duhet ta dinë që është një procedurë standarde e higjienizimit të shkollave, përpara se të vijnë fëmijët. Qytetarët i ftoj të mos bëhen pjesë e histerisë, por i ftoj që të përshëndesin e përkrahin Bashkinë dhe punëtorët e Bashkisë, kur i shohin që po kryejnë detyra e funksione jetike për qytetin”, deklaroi kryebashkiaku.

Xh.K/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar