SHKODËR- Pas tre muajsh hetime, policia arrestoi 13 persona në Shkodër, të dyshuar se shisnin lëndë narkotike në doza, kryesisht pranë shkollave. Sipas hetuesve, ata vepronin në disa grupe dhe dyshohet se shisnin drogë edhe në ambiente të tjera publike të qytetit.

Operacioni i koduar “Shkolla të Pastra” u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve nën drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës. Të arrestuarit, të moshës nga 18 deri në 39 vjeç, dyshohen për prodhim dhe shitje të narkotikëve në bashkëpunim. Në mesin e 13 të arrestuarve, tre janë me precedentë penalë për prodhim dhe shitje droge.

Gjatë kontrolleve në banesat e tyre, policia gjeti 1 kilogram e 670 gramë lëndë të dyshuar kanabis. Një pjesë ishte ndarë në doza dhe paketuar në qese farmaceutike. U sekuestruan edhe tri peshore elektronike dhe qese të tjera për paketimin e dozave. Policia sekuestroi gjithashtu dy automjete dhe 14 celularë.

"Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, të organizuar në disa grupe, shitnin lëndë narkotike në doza, pranë shkollave dhe në ambiente të tjera publike në qytetin e Shkodrës. Gjatë kontrolleve në banesat e shtetasve të arrestuar, shërbimet e Policisë gjetën 1 kilogram e 670 gramë lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa, një pjesë e saj të ndarë në doza dhe të ambalazhuar në qese farmaceutike, 3 peshore elektronike dhe qese farmaceutike për ndarjen dhe paketimin e lëndës narkotike në doza. Këto sende u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me 2 automjete dhe 14 celularë, që dyshohet se janë përdorur për këtë veprimtari kriminale", njoftoi Policia. 

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

EMRAT e të arrestuarve

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë