KORÇË- Pesë lokale në qytetin e Korçës dhe Pogradecit ishin kthyer në bazë për organizimin e lojërave të fatit. Një kontroll nga uniformat blu ka çuar në arrestimin e administratorëve të 2 lokaleve, Joan Liçi dhe Esmeraldo Molla, ndërsa në hetim janë vënë 6 administratorë të tjerë si edhe punonjës të lokaleve.
Ndaj dy administratorëve të arrestuar rëndojnë akuzat “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra fati”. Liçi akuzohet edhe për punësim të paligjshëm, ndërsa Molla edhe për “Fshehje të të ardhurave”.
Në video shihet edhe se si administratorët i kishin përshtatur lokalet për lojër afati, duke vendosur monitorë dhe aparate celularë me faqe që shërbenin për vendosjen e basteve sportive. Gjatë kontrolleve janë zbuluar edhe punonjës të paregjistruar në organet kompetente.
“Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit:
M. V., 48 vjeç, banues në Korçë, dhe S. B., 34 vjeç, banues në Pogradec, për veprën penale “Punësim i paligjshëm”, pasi gjatë kontrollit në lokalet që këta shtetas administronin u konstatuan 2 kamarierë të paregjistruar në organet kompetente.
V. T., 19 vjeç, dhe Ç. P., 42 vjeç, banues në Korçë, për veprën penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”.
E. Ç., 41 vjeç, banues në Pogradec, pasi u konstatua që biznesi që administronte ishte i paregjistruar në organet kompetente.
D. K., 43 vjeç, banues në Korçë, për veprën penale “Deklarim i rremë para oficerëve të Policisë Gjyqësore”, njoftoi Policia e Korçës.
Ndërkohë, në pranga ka rënë edhe një 35-vjeçar i shpallur në kërkim 2 ditë më parë, pasi kishte kanosur nëpërmjet telefonit një 18-vjeçar, për një shumë lekësh që i kishte borxh, për vendosjen e basteve sportive që i kishte bërë 35-vjeçari.
Komente









