Policia ka identifikuar dhe shpallur në kërkim dy autorët e dyshuar së plagosjes së 38-vjeçarit paraditen e së hënës në Kamëz. Sipas policisë, dy kushërinjtë Marjo Boja dhe Ersjon Boja, 26 dhe 30-vjeç, i prenë rrugën me automjet 38-vjeçarit Redi Vata dhe më pas e goditën me sende të forta.
Sipas policisë, 38-vjeçari ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Burime për gazetarin e Report TV, Sokol Dema thonë se ka dyshime se konflikti ka ndodhur për një vajzë, edhe pse Vata nuk ka treguar detaje.
Arma me të cilën është qëlluar nuk dihet nëse është e njëjta që u gjet në banesën e Marjo Brojës, por është dërguar për ekspertizë balistike, e cila do të sqarojë të plotë. Dyshimet e bluve janë se dy kushërinjtë kanë shkuar vetëm ta rrahin apo trembin Vatën, jo me qëllim për ta vrarë, ndërsa e shtëna ka qenë në ajër. Ata janë identifikuar përmes rrjeteve sociale pasi jepnin makina me qira.

Xh.D/I.M/Shqiptarja.com"Si rezultat i veprimeve intensive hetimore, identifikohen dhe shpallen në kërkim 2 shtetas, autorë të dyshuar për plagosjen e një 38-vjeçari, me sende të forta.
Sekuestrohen 1 armë zjarri dhe një sasi municioni luftarak, që u gjetën në banesën e njërit prej autorëve të dyshuar.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5, ditën e djeshme, pas marrjes së njoftimit se në rrugën “OSBE”, një shtetas ishte goditur me sende të forta, organizuan menjëherë punën për zbardhjen e rrethanave të konfliktit, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Si rezultat i veprimeve intensive hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë, u identifikuan dhe u shpallën në kërkim shtetasit M. B., 26 vjeç dhe E. B., 30 vjeç, të cilët dyshohet se dje, rreth orës 10:00, në rrugën “OSBE”, për motive të dobëta, i kanë prerë rrugën, me automjet, shtetasit R. V., 38 vjeç, dhe e kanë goditur atë, me sende të forta. I dëmtuari mori mjekim dhe aktualisht është jashtë rrezikut për jetën.
Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit M. B., shërbimet e Policisë gjetën 1 armë zjarri pistoletë (me leje) dhe një sasi municioni luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Gjithashtu, është shpallur në kërkim automjeti tip “Benz” me të cilin dyshohet se janë larguar nga vendi i ngjarjes, 2 autorët e dyshuar.
Vijon puna për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim, për gjetjen e automjetit dhe për dokumentimin ligjor të rastit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.", njoftoi policia.
Komente

