Një 42-vjeçar shqiptar ka rënë në prangat e Policisë në Torino të Italisë, pasi dyshohet si pjesë e një grupi grabitësish, që kishin kryer vjedhje të përsëritura në zonë.
Mediat italiane bëjnë të ditur se ai u arrestua në 21 mars, kur efektivët e policisë gjatë patrullimit në rrugën Sospello, vunë re një person që përdorte elektrik dore për të kontrolluar pjesën e sipërme të një dere, duke ngjallur dyshime.
Pasi mbërritën në ndërtesë, oficerët kryen një kontroll të brendshëm dhe teksa iu afruan një prej dyerve, dëgjuan zhurma që vinin nga brenda. Pak çaste më vonë, tre persona dolën me shpejtësi dhe u larguan në drejtime të ndryshme, duke hedhur sende gjatë arratisjes.
Falë reagimit të menjëhershëm, policia arriti të ndalojë 42-vjeçarin shqiptar, ndërsa u konstatua se autorët kishin hyrë në bodrume duke thyer drynat me forcë. Gjatë kontrollit në zonën ku kaluan dy prej të dyshuarve, përfshirë edhe të arrestuarin, u gjet një pistoletë e raportuar e vjedhur më herët, me një fishek në karikator. Po ashtu, u sekuestrua një çantë me sende me vlerë, si unaza, byzylykë, varëse dhe ora, të dyshuara si të përfituara nga aktiviteti kriminal.
Nga kontrolli personal, 42-vjeçarit iu gjetën edhe 740 euro, të cilat dyshohet se janë përfituar nga vjedhjet. Policia vijon kërkimet për kapjen e dy bashkëpunëtorëve të tjerë, ndërsa hetimet janë në zhvillim për zbardhjen e plotë të aktivitetit kriminal të grupit.
--------------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente







