Autoritetet franceze kanë goditur një grup shqiptar të trafikut të drogës. 8 persona u arrestuan në Ain, pranë kufirit me Zvicrën.
Në operaconin për arrestimin e shqiptarëve, të moshës 22 deri në 32 vjeç, u përfshinë 80 xhandarë.
Prokurorja Karine Malara, deklaroi se grupi i të rinjve përdorte një model transporti të tipit “Uber”, që konsistonte në kryerjen e dërgesave shtatë ditë në javë të drogës, kokainës dhe heroinës, së porositur përmes rrjeteve sociale, nga një “rrjet shumë i organizuar” brenda “komunitetit shqiptar”.
Për të fshehur lëvizjet e tyre të përditshme, grupi përdorte shumë automjete të cilat ndërroheshin vazhdimisht.
Hetimet kishin nisur në fund të vitit 2025, pasi xhandarmëria zbuloi një strukturë të organizuar magazinimi dhe transporti droge. Më 4 shkurt, forcat e rendit ndërhynë njëkohësisht në disa lokacione, duke angazhuar njësi speciale ndërhyrjeje, ekipe me qen nuhatës dhe dhjetëra hetues.
Gjatë kontrolleve u sekuestruan rreth 3.8 kilogramë heroinë, mbi 3 kilogramë kokainë, 46 kilogramë substanca për përzierje të drogës, 12 automjete, dy armë zjarri, si dhe shuma të konsiderueshme parash në euro dhe franga zvicerane. Autoritetet vlerësojnë se fitimi i përgjithshëm nga aktiviteti kriminal arrinte në rreth 1 milion euro.
Komente











