Një sasi prej 350 kilogramësh kokainë është sekuestruar në Turqi, pasi u zbulua e fshehur në një anije që kishte mbërritur nga Brazili në portin e Mersinit.

Policia turke arrestoi nëntë persona të dyshuar si pjesë e rrjetit të trafikut të drogës. Sipas autoriteteve, kokaina ishte paketuar në 12 pako të mëdha dhe ishte fshehur në trupin e anijes, poshtë vijës së ujit.

Nga hetimet ka rezultuar se droga ishte planifikuar të nxirrej nga zhytësit, me ndihmën e pajisjeve të zhytjes dhe skuterëve nënujorë të gjetur gjatë kontrollit, për t'u transportuar më pas drejt provincave perëndimore të Turqisë.

Ministri turk i Drejtësisë, Akin Gurlek, tha se autoritetet do të vazhdojnë goditjet ndaj rrjeteve të trafikut të drogës dhe se nuk do të ketë tolerancë për trafikantët apo bosët e narkotikëve.

Ai kujtoi se vetëm dy ditë më parë në Stamboll u arrestua Islam Jakut, i dyshuar si drejtues i një organizate ndërkombëtare të trafikut të drogës dhe i kërkuar që prej vitit 2017. Sipas ministrit, operacioni në Mersin është një tjetër goditje ndaj këtyre rrjeteve kriminale.