SPAK ka dalë me një njoftim zyrtar për goditjen e grupeve kriminale të trafikut të drogës në Fushë-Krujë, ku u lëshuan 14 masa arresti, 10 prej të cilave janë ekzekutuar ndërsa 4 janë në kërkim. U arrestuan Rexhep Rraja, Agim Nina alias Lorenc Selmani, Përparim Rraja, Gazmir Rraja, Marvin Bushati, Sokol Qaja, Zamir Aliaj si edhe Islam Sefa alias Xaka, Aldo Gjini, Jani Çavo ( të cilët të 3 ndodhen aktualisht në burg).
Ndërsa në kërkim u shpallën Bujar Sefa alias Xaka, Hajdar Sefa alias X dhe L, Vildan Baroku ( të cilët kanë qenë të shpallur në kërkim më parë apo të dënuar në mungesë) dhe Ervis Shuli, i cili ndodhet jashtë vendit. U sekuestruan 415 mijë euro, 7 mijë dollarë amerikanë, 1 milion lekë, 11 celularë, 3 automjete të markave BMë X-5, Range Rover, Volksëagen golf 6. U sekuestruan gjithashtu një armë zjarri model Glock me 9 fishekë, 1 jelek antiplumb, 1 palë dylbi, 1 orë Rolex, 1 DVR dhe dokumente të ndryshme.
Ndaj tyre rëndojnë akuzat e trafikut të lëndëve narkotike, grup të strukturuar kriminal, dhe kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal.
Sipas SPAK, këta persona akuzohen për trafikun e drogës nga Shqipëria drejt Malit të Zi me destinacion final Gjermaninë, nga Shqipëruia drejt Turqisë si edhe nga vendet e Amerikës së Jugut drejt vendeve të BE-së. Ata u zbuluan nëpërmjet komunikimeve në “SkyECC”.
SPAK zbardh tre episode droge nga vitet 2020-2021. I pari, më datë 3 nëntor 2020, gjatë të cilit autoritetet e Malit të zi sekuestruan 1722 kg bimë narkotike marijuanë që ishte nisur nga Shqipëria me destinacion Gjermaninë. Episodi i dytë është shënuar më 23 nëntor po të vitit 2020, ku u sekuestruan në Holandë 475 kg kokainë që ishte dërguar nga Ekuadori në Portin Vlissingen. Ndërsa episodi i tretë është shënuar në datë 26 janar 2021, ku në Turqi u sekuestruan 236 kg marijuanë që ishte nisur nga Shqipëria.
Arma e zjarrit iu sekuestrua Marvin Bushatit sot në banesë gjatë ekzekutimit të masës së sigurisë.
Njoftimi i plotë i SPAK:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar paraqiti kërkesën në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë, në kuadër të procedimit nr.9 të vitit 2024, për caktimin e masës së sigurimit ndaj 14 shtetasve, nën hetim për veprat penale që lidhen me trafikun e lëndëve narkotike, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal.
Gjykata e Posaçme me vendimin e saj nr. 124, datë 9.12.2025 vendosi pranimin e kërkesës për caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues, “arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale.
Sot, më 10.12.2025, strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit bënë të mundur ekzekutimin e masave të sigurimi personal vetëm për 10 (dhjetë) personat nën hetim: I. S.(alias X.,), R. Rr., A. N (alias L. S.,), P. Rr., G. Rr., A. A. (alias Ç.,), A. Gj.(alias I.,), A. Q., J. Ç., dhe M. B.
Ndërkohë, janë shpallur në kërkim dhe punohet me strukturat e policisë së shtetit dhe partnerët ndërkombëtarë për arrestimin e personave nën hetim B. S. (alias X), H. S (alias X, alias L.,), V. B., të cilët kanë qenë të shpallur më parë në kërkim apo të dënuar në mungesë për konsumimin e veprave të tjera penale, si dhe i hetuari E. Sh., ndodhet jashtë shtetit.
Prokuroria e Posaçme ka kërkuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kryerjen e disa kontrolleve, kërkesa të cilat janë miratuar nga ana e gjykatës. Policia gjyqësore ka ekzekutuar 11 (njëmbëdhjetë) vendimet e Gjykatës, si dhe janë realizuar kontrolle (banesash, automjetesh, dhe personash).
Pas kontrolleve të ushtruara deri në këto momente, janë sekuestruar sendet e mëposhtme:
- 415.000 Euro
- 7000 Dollarë Amerikanë
- 1.000.000 Lekë
- 11 aparate telefonash celularë
- 3(tre) automjete të markave të ndryshme si (BMW X-5, Range Rover, Volkswagen golf 6),
- 1(një) armë zjarri model Glock me 9 fishekë
- 1(një) jelek antiplumb
- 1(një) palë dylbi
- 1(një) orë ROLEX
- 1(një) DVR, si dhe dokumente të ndryshme.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datë 18.1.2024 ka regjistruar kryesisht procedimin penal nr. 9 të vitit 2024, për veprat penale të kryera gjatë viteve 2020-2021: “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim në formë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 283/a dhe 28 pika 4 të Kodit Penal; “Grup i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a të Kodit Penal, si dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 334 i Kodit Penal, pa autor.
Këto hetime janë realizuar në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet europiane të drejtësisë, strukturat e hetimit të Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, si dhe Byronë Kombëtare të Hetimit, për të cilat janë ndërmarrë një sërë veprime të rëndësishme hetimore.
Nga hetimet e deritanishme kanë rezultuar dyshime të arsyeshme, të mbështetura në prova, se personat e dyshuar janë përfshirë në aktivitet të paligjshëm të trafikimit të lëndëve narkotike nga Shqipëria drejt Malit të Zi me destinacion final Gjermaninë, nga Shqipëria drejt Turqisë, si dhe nga vendet e Amerikës së Jugut drejt Bashkimit Europian. Gjatë veprimtarisë së tyre, të dyshuarit kanë komunikuar gjithashtu mes tyre përmes aplikacionit të enkriptuar “SkyECC”. Këto komunikime janë administruar nga autoritetet franceze të drejtësisë në kuadër të ndihmës së ndërsjellë juridike.
Nga këqyrja dhe analizimi i të dhënave të administruara është bërë e mundur identifikimi i 14 (katërmbëdhjetë) shtetasve shqiptarë nën hetim: I. S. (alias X.), E. Sh., R. Rr., B. S. (alias X.), A. N. (alias L. S.), H. S. (alias X., alias L.), V. B., P. Rr., G. Rr., A. A. (alias Ç.), A. Gj. (alias I.), A. Q., J. Ç. dhe M. B., të dyshuar për përfshirje në aktivitet të paligjshëm kriminal në fushën e trafikimit të narkotikëve.
Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera deri më tani, si dhe nga ekzekutimi i letërporosive nga autoritetet malazeze, holandeze dhe turke, janë zbardhur rrethana të rëndësishme të kryerjes së veprave penale, duke u evidentuar rolet e drejtuesve, financuesve dhe pjesëmarrësve në këtë veprimtari kriminale, sipas episodeve të paraqitura më poshtë.
– Episodi i parë, i përket datës 3.11.2020, gjatë të cilit nga autoritetet kompetente të Malit të Zi, është sekuestruar sasia prej 1722 kg, bimë narkotike e llojit marijuanë, e dërguar nga Shqipëria me destinacion përfundimtar Gjermaninë.
– Episodi i dytë, i përket datës 23.11.2020, gjatë të cilit nga autoritetet kompetente të Mbretërisë së Holandës, është sekuestruar sasia prej 475 kg lëndë narkotike e llojit kokainë, e dërguar nga Ekuadori në Portin Vlissingen, Holandë.
– Episodi i tretë, i përket datës 26.1.2021, gjatë të cilit nga autoritetet të Turqisë, është sekuestruar sasia prej 236 kg bimë narkotike e llojit marijuanë, e dërguar nga Shqipëria me destinacion përfundimtar Turqinë.
Gjithashtu, të hetuarit M. B., më datë 10.12.2025, iu sekuestrua, ndër të tjera, një armë zjarri model “Glock”, dhe është arrestuar në flagrancë për veprën penale;“Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” në banesë (neni 278/4 i Kodit Penal), gjatë ekzekutimit të masës së sigurimit personal.
Hetimet vazhdojnë me administrimin e provave sa i përket implikimit të personave të tjerë që dyshohet se janë të përfshirë në këto veprimtari të paligjshme kriminale.
Prokuroria e Posaçme falenderon autoritetet e drejtësisë gjermane, franceze, holandeze, belge, malazeze, turke, ekuadoriane, si edhe Eurojust, Europol, për mbështetjen e dhënë për SPAK.
Lajmi kryesor:
Trafikuan 2.4 ton marijuanë e kokainë, SPAK godet 'rrjetin' në Fushë-Krujë! 10 të arrestuar, mes tyre djali i ish-deputetit të PS Rraja, 4 në kërkim! Sekuestrohen 430 mijë € (EMRAT)










