Gogo Nushi, Enverit: Ali Këlcyra
luftoi kundër gjermanëve

Gogo Nushi, Enverit: Ali Këlcyra<br />luftoi kundër gjermanëve
TIRANE- Tetori i 1943 ishte një muaj plot impulse në jetën politike shqiptare, që do të pasohej nga të tjerë muaj të ngarkuar me zhvillime të rëndësishme. Ndërsa forcat gjermane kishin depërtuar pothuaj në të gjithë vendin, përplasjet brenda qarqeve politike shqiptare ishin egërsuar mjaft.

E qartë shfaqet kjo tablo edhe në këtë letër që kemi zgjedhur sot për botim, të cilën Gogo Nushi ia nis eprorit të tij Enver Hoxha, ndërsa e informon për një varg çështjesh plotike e organizative. Letra ruhet në Arkivin Qendror të Shtetit, në Fondin 14. Pasi Gogo Nushi i raporton  Hoxhës ngritjen e disa komisioneve si ai i Agjitacion propagandës,   komisioni informativ,  për punën dhe nacionalistat, për materialin dhe për teknikën,  ai rendit  më tej disa kërkesa kryesisht për armatime e municione.

Menjëherë pas këtij raportimi Gogo Nushi prek një çështje të nxehtë, e shumë të diskutuar çështjen e  Anastas Plasarit. Ai i shkruan Hoxhës se e ka takuar Ilo Pandukun. “... E pyeta për të gjitha sa kishim biseduar. Ky i mohon që të gjitha. Në pyetjen tonë që i bëra për punën e Anastasit ky më tha se Anastasin e urrente më shumë se kushdo tjatër, se i ka bërë mjaft poshtërsira...”, i shkruan Gogo Nushi Hoxhës, ndërsa shton pak më poshtë se për Anastas Palasarin do të t’i shkruaj sërish.

Formimi i qeverisë së re, është po ashtu një çështje ngacmuese. Gogo Nuhsi informon Hoxhën se po flitet me insistim që Mehdi Frashëri do të pranojë të formojë qeverinë e re, e ku flitet se do të marrin pjesë shumë personalitete të Ballit Kombëtar. Ai përmend Xhafer Devën si një rrezik të madh. Ja çfarë i shkruan Gogo Nushi Hoxhës për Devën. “Ibrahim Biçaku i tha Hysen Shehut që të lajmëronte Myslimin ose Partinë që këtë (Xhafer Devën) ta zhdukim sa më parë, me qënë se ky bën dallaveret më të mëdha. Ky është lidhun me Ballistat, Irfan Ohrin dhe shumë elementa të tjerë, të cilët Ibrahimi nuk don t’i shohi me sy...”.

Në fund Gogo Nushi i kërkon Hoxhës të sqarojnë njëherë e mirë pozicionin e Abaz Kupit, pasi populli kërkon të dijë se në ç’anë është ai.
Letra ka edhe dy poshtëshënime ku ndër të tjera Enver Hoxha njoftohet se në Gjirokastër ka pasur përpjekje me gjermanët. Por ajo që na surprizon është kjo frazë: “Flitet se dhe forcat e “Ballit” me Ali Këlcyrën dhe Afis Çanin po marrin pjesë kundra gjermanëve..”, fakt që zbulon një tjetër nuancë të marrëdhënies mes Ballit Kombëtar dhe gjermanëve, gjë që është mohuar gjithnjë me forcë nga historiografia e kohës së diktaturës. 
 
Dokumenti i plotë
 I dashur Taras
Gjatë këtyre ditëve fundit të kam premtuar që do të të shkruaja gjatë mbi gjendjen e këtushme dhe sot vendosa që të të shkruaj diçka, me qënë se koha më lejon.
Mbas bisedimeve që patëm aty si unë ashtu edhe Delegatia, u pa e nevojshme që puna t’organizohej në një mënyrë të re. Në mbledhjen e parë të Komitetit Qarkor, ku mori pjesë edhe shoku Deti, biseduam gjerë dhe gjatë mbi mënyrën e këtij organizimi. Në këtë mbledhje u formuan gjahstë komisione të ndryshme të cilat janë ngarkuar me një punë të caktuar. Këto komisione janë:
1) Agjitasion dhe propagandë. Përgjegjës këtu është caktuar shoku Shkrimtari, dhe marrin pjesë, Liria Belishova dhe Nazmi Batalli.  

2) Seksioni informatif, të cilin e kryeson shoku Rosho, ka rreth tij disa shokë të tjerë. Ka filluar këto ditët e fundit të hyjë në kontakt me disa personalitete ose të tjerë që janë lidhur me gjermanët.
3) Komisionni për punën me nacionalista e kryeson shoku Fusha, dhe bëjnë pjesë Kurveleshi, Selim Shpuza, Pjetër Deda dhe Pocia, (mësuesi Labovit).
4) Komisionin me punën me gra e kryeson Delegatia, dhe bëjnë pjesë Peçia, Zylfija, Tefia dhe Saveta.
5) Materialin e ka Muharem Çarati me disa shokë të tjerë.
6) Teknikën ja bam prapë shokut Dali, por ju theksua që të kujdesohet pak më shumë për detyrën që i është ngarkuar.

Komisioni ushtarak, qe krijuarë më parë. Komisionin e financës do ta krijojmë më vonë, me qënë se për së shpejti do të ja dorëzojmë Fondin N.Çl. Këshillit. Që të gjitha këto komisione janë mbledh dhe kanë ndarë punë dhe kanë caktuar një pllan punimi. Me krijimin e këtyre dhe me ndarjen e re të punës shpresojmë se puna do të kontrollohet dhe do të shkojë më mirë.
Këto ditët e fundit janë krijuar tri (3) celula të reja në qytet, d.m.th. tashti kemi 17 celula me 708 shokë partie. Jemi duke seleksionuar edhe elementa të tjerë të cilët do t’i fusim sa më parë në radhët e Partisë.

Si gjithë-monë e gjithë organizata, që nga gratë deri tek pionierët, është në lëvizje. Botimet tona, të cilat janë të shumta, këndohen lirisht në qytet. Traktet ose afishet ngjiten në vendet më kryesore të qytetit, dhe vazhdojnë për shumë dit që të këndohen nga populli. Këto ditët e fundit kemi nxjerrë mjaft lëndë propagandistike. Jemi duke pregatitur “Zërin e Popullit” si dhe “Bashkimin”. Trakti “Çështje të ditës” u botua në 6 mijë copë dhe një pjesë u dërgua në krahinat e tjera.

Artikulli që do të botohet në “Bashkimi” e botuam në 4 mijë copë. Edhe nga  ky një pjesë u shpërnda këtu dhe pjesa tjetër u dërgua në qytetet e tjerë. Trakti i K. Qëndror për Kosovë është gati, 4 mijë copë. Traktin e Komandës italiane edhe këtë e botuam në 4 mijë copë dhe e shpërndam si gjithë të tjerët. Njësitet ushtarake janë duke u forcuar. Nuk kemi mundur që të bëjmë aksione me qënë se shokët nuk janë shumë të aftë për këtë punë, dhe nuk kanë gjetë rastin. Nesër nisim për aty 15 shokë për t’i praktikuar në përdorimin e armëve automatike.

Për njësitet e qytetit na nevojiten revolvera automatike, të cilat na duhen për atentate. Po patët mundësi ua tërhiqni shokëvet çetavet (si e kanë bërë n’Elbasan) dhe na i dërgoni në qytet. Për pushkët automatike na mungojnë fishekë, prandaj kujdesohi pranë misionit aleat mos na hedhin diçka. Është krim që kaq armë të jenë vetëm me nga 100 fishekë sejcila.
Pardje të shtunën, gjithë ditën u mblodhë delegatët e këshillavet të ndryshme (30 veta) dhe mbasi biseduan gjithë ditën u zgjodh Këshilli i Qytetit prej 15 vetash. Kryesia e Këshillit përbëhet prej 11 vetash, Shafingua, si delegat i Kryesisë këshillit, ka fol shumë mirë dhe kanë ngelë t’enthusiasmuar që të gjithë ata që merrnin pjesë. Këshilli i ri do të futet me një herë në punë dhe shpresojmë që kështu lëvizja të shtohet. Do krijohen dita ditës këshilla të reja, të cilat dalin nga mbledhje të gjera, ku marrin pjesë 80-100 veta.

Mbas reaksionit Krujës Batalioni Fushë-Krujës u tërhoq tok me ushtrinë italiane në Priskë-Shëngjergj. Batalioni i Dajtit edhe ky ka qenë i okupuar qoftë me ushtrinë qoftë me Brigadën e Parë. Kështu nuk kanë pas mundësi që të bënin më një aksion. Mbasi atje shkuan shokët delegat të Shtabit, pjesa më e madhe e këtyre Batalioneve po largohet për të formuar Brigadën e tretë. Nevet morëm me një herë masa për t’i zëvendësuarë shokët që po largohen me elementa që do të rekrutojmë në qytet.

Si do ta shifni edhe në qarkoren që u mbyll në zarf, i jemi drejtuar gjithë organizatës për të rekrutuar luftëtarë të rinj, të cilët nuk na mungojnë. Mejtojmë që të dërgojmë afro 200 veta. Ky mobilizim nuk do të na dobësojë aspak njësitet guerile. Përveç këtyre, kemi vendosë që të dërgojmë në katundet e ndryshëm shokë të cilët do të bëjnë agjitacion dhe t’organizojnë këshillat, grupet etj.
Për këtë punë kemi caktuar 4 shokë Partie. Këta do të jenë lidhur drejt me qarkorin dhe jo me çetat, por do të ndihmohenë nga këto.
Dje nisëm për në Dibër 10 shokë, në mes të të cilëve dy shokë Partie. Kemi dhënë direktivën që të gjithë shokët dibranë dhe matjanë të shkojnë në vendet e tyre. Kështu besoj se do ta ndihmojmë lëvizjen tonë në këta të dy sektorë. Sotir këpucari ka dhjetë dit që ka shkuar n’Elbasan.


Ilo Pandukun e mora dhe e pyeta për të gjitha se kishim biseduar. Ky i mohon që të gjitha. Në pyetjen tonë që i bëra për punën e Anastasit ky më tha se Anastasin e urrente më shumë se kushdo tjatër, se i ka bërë mjaft poshtërsira. Daut Shapllani thotë që e ka takuar para dy muajsh, që ka qenë këtu, por nuk ka biseduar asgjë për punën e Anastasit. Në pyetjen që i bëra për të thënat e Dautit, ky thotë që nuk janë të vërteta. Unë me Detin jemi të mejtimit që ta thërasim Dautin këtu. Si thua? Për Anastas Plasarin do të shkruaj këto dit. Balli mbas nxjerrjes të traktit ku na akuzonte neve si shkaktarët e përçarjes dhe dy të tjerëve mbi gënjeshtrat e Vlorës nuk ka bërë nonjë gjë të re.

Si e kini parë në komunikatat e ndryshme nevet i kemi demaskuar që të gjitha dallaveret e tyre. Këto dit kanë dashë që të grisin afishet tona, por neve u kemi dhënë direktivë shokëve, që, kushdo që të preki afishet tona t’ekzekutohet në vënd. Ky qëndrim i ka frikësuar mjaft. Në radhët e tyre nuk shifet që të ketë përçarje, dhe nonjë pjesë të dezertojë radhët e tyre. Partia Zogiste, edhe këta nuk kanë nxjerrë nonjë gjë të re këto ditët e fundit. Artikulli yt në Bashkimin, të cilin do ta shpërndajmë sot, besojmë se do të bëjë mjaft bujë.
Komiteti Ekzekutiv është në lëvizje të madhe këto dit. Flitet me insistim se Mehdi Frashëri ka pranuar që të formojë qeverinë.

Flitet se shumë personalitete të Ballit do të marrin pjesë. Manevra e këtyre është shumë e madhe. Një nga ata që luan dallaveret më të mbëdha në këtë mes është Xhafer Deva. (Ibrahim Biçaku i tha Hysen Shehut që të lajmëronte Myslimin ose Partinë që këtë ta zhdukim sa më parë, me qënë se ky bën dallaveret më të mëdha. Ky është lidhun me Ballistat, Irfan Ohrin dhe shumë elementa të tjerë, të cilët Ibrahimi nuk don t’i shohi me sy.

Flitet me insistim që në këto dallavere marrin pjesë edhe zogistat. Neve jemi duke vëzhguar dhe çdo gjë do ta raportojmë. Gjermanët kanë shtyp këto ditët e fundit këto dy trakte por nuk i kanë shpërnda akoma. Në njërin nga këta i drejtohen Bazit dhe do të shohim qëndrimin e këtij. Do të qe mirë që ta sqaronim sa më parë punën me këtë, se gjithë populli pyet për qëndrimin e këtij. Neve do të veprojmë simbas direktivës qarkores që na dërguat, por e sqaroni sa më parë punën me këtë. Neve mejtojmë se mos, dhe ky do të bjerë në kompromis me gjermanët.
Të fala Hyseni
4-X-43
 
P.S. Po të mbyll kopjen e një raporti që Ali Klissura i drejton Komitetit Qëndror të Ballit. Këtë raport e kishte Fuat Dibra dhe mundi ta kopjojë një e mbesa e tij simpathizante e jona. Shpresojmë që të marrim edhe të tjera. Nuk patëm mundësi që ta merrnim me klishe. Mënd për tjetër herë. Një kopje nga ky raport ja u dërgova shokëve Gjirokastrës për dijeni, por duke ju theksuar atyre që të mos bëjnë fjalë për këtë gjë derisa t’u shkruani ju. Besoj se do të jini dakord me mua.
4-X-43
 
P.S. Mësojmë se në Gjirokastrë po bëhet luftë e madhe në mes të ushtrisë gjermane dhe forcave tona. Flitet se dhe forcat e “Ballit” me Ali Këlcyrën dhe Afis Çanin po marrin pjesë kundra gjermanëve. Ushtritë gjermane kanë ardhë nga Janina. Mbrëmë u fol se dhe në Priskë kishin shkuar ushtri gjermane dhe kishin rënë në pushkë me çetat tona. Sot dërguam një kurier për t’u informuar por nuk kthyen akoma. Nuk besojmë që të jetë e vërtetë se po të qe kështu do të kishim mësuar diçka.

Esati, (i cili ka dy dit që ka ardhë këtu, dhe sot po kthehet në bazë), u takua me Ibrahimin. Ky si budalla që është, beson gjithmonë se gjermanët do të largohen për së shpejti këndej. Ky e siguroi Esatin se nuk do të formohet qeveria përpara se të mblidhet Asamblea, d.m.th. pas 16 tetorit. Met Seseri ka ardhë prapë i dërguar nga Bazi. Ky kërkon që të takohet sa më parë me delegatët e Këshillit. Me sa më tha Meti, Bazi e heq veten gjithmonë si i Këshillit vetëm don që të sqarohet përse ngjasin këto përçarje me Ballin.
4-X-43.

Shkrimi u publikua sot (21.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Festat e nëntorit/ Shqiptarë e të huaj mbushin hotelet! Tirana, Vlora e Korça më të preferuarat

Festat e nëntorit/ Shqiptarë e të huaj mbushin hotelet! Tirana, Vlora e Korça më të preferuarat