Futbolli elitar spanjoll zbriti të martën në fushë me përballjen Barcelona - Atletico Madrid. Sfida në 'Camp Nou' u fitua 3-1 me përmbysje nga Barça, teksa katalanasit mbeten në krye të renditjes. Sot kundërpërgjigjet Real Madridi që luan në udhëtim kundër Athletic Bilbao.
NDESHJA - Dueli nisi me raste për të dyja skuadrat, por duhej minuta e 19-të që Baena të zhbllokonte shifrat për miqtë pas një asisti të Molinës. Vetëm shtatë minuta më vonë Barça u kundërpërgjigj dhe Raphinha përfitoi nga pasimi final i Pedrit për të ekulibruar rezultatin në 1-1. Barça mund ta mbyllte në epërsi pjesën e parë, kjo nëse veterani Robert Lewandowski do tregohej i saktë nga pika e 11 metërshit në minutën e 36-të. Polaku e dërgoi sferën shumë mbi traun e portës.
Në fraksionin e dytë Barcelona përmbysi ndeshjen me Dani Olmon në minutën e 65-të. Pas këtij goli ndeshja ishte më shumë se interesante, por Atletico nuk mundi të barazonte shifrat. Në minutën e gjashtë shtesë, një aksion i bukur i katalanasve bëri që Balde të pasonte për Ferran Torres, me këtë të fundit që "vulosi" shifrat për 3-1.
Sot në orën 19:00 luhet Athletic Bilbao - Real Madrid, teksa këto ndeshje vlejnë për raundin e 19-të të La Ligas, por po zhvillohen më herët pasi klubet janë të angazhuara në Superkupën e Spanjës.
Pas 15 ndeshjeve të luajtura, Barça me 37 pikë kryeson renditjen, ndjekur nga Real Madridi me 33 pikë (një ndeshje më pak).
Komente








