LONDËR, Angli - Premier League e futbollit në Angli është në raundin e 11-të. Të shtunën në mbrëmje Chelsea siguroi tri pikë me peshë duke mposhtur 3-0 Wolvesin në një ndeshje të dominuar nga "Blutë". Ndërkohë që 'Ujqit' vijojnë "mos kafshojnë" këtë sezon dhe me vetëm dy pikë mbeten në pozitën e fundit.
Në "Stamford Bridge" pjesa e parë u mbyll pa gola dhe tifozët vendas u futën në presion, por Malo Gusto në minutën e 51-të zhbllokoi shifrat. Garnacho pasoi bukur dhe Gusto kaloi topin pas krahëve të Johnstone. 14 minuta më vonë, Joao Pedro tundi rrjetën për golin e dytë të Chelsea. Në minutën e 73-të Pedro Neto "vulosi" takimin për 3-0, kjo pas pasimit final të Garnacho.
Me dy fitore radhazi Chelsea ngjitet në kuotën e 20 pikëve për vendin e dytë momental. Ndërkohë që Wolves me vetëm 2 pikë ndodhet në pozitën e fundit.
Dje u zhvilluan edhe katër ndeshje të tjera. Tottenham dhe Manchester United barazuan 2-2, Everton mposhti 2-0 Fulhamin, West Ham u imponua 3-2 kundër Burnleyt, ndërkohë që Sunderlandi me Granit Xhakën në fushë ndali 2-2 kryesuesit e Arsenalit. "Topçinjtë" me 26 pikë vijojnë të mbajnë vendin e parë të Premier League.
Komente






