RIAD - Për herë të 11-të në histori, Al Nassr është shpallur kampion në Arabinë Saudite. Klubi ku bën pjesë edhe Cristiano Ronaldo ia doli të fitojë 4-1 kundër Damac në ndeshjen e fundit të sezonit, për të siguruar suksesin e plotë këtë sezon. CR7 shënoi dy gola në këtë fitore, teksa për të ky është trofeu i parë pas tre vitesh e gjysmë me Al Nassr.
Sadio Mane hapi serinë e golave pas një asistimi të Joao Felix, ndërsa Coman u kujdes për golin e dytë. Sidoqoftë, Damac shqetësoi vendasit kur Sylla realizoi nga pika e bardhë e 11 metërshit për të rihapur garën.
Megjithatë, Cristiano Ronaldo u kujdes që të mos kishte befasi. Pesë herë fituesi i 'Topit të Artë' shënoi dy gola të bukur për të kompletuar triumfin 4-1 të të tijve dhe trofeun e kampionit. Ky është titulli i parë kampion për Ronaldon në Arabinë Saudite, teksa pas një muaji 41-vjeçari do të kërkojë Kupën e Botës me Portugalinë.
CR7 e çon në 973 gola numrin e realizimeve në të gjithë karrierën, duke qenë pranë rekordit të 1000 golave.
Ai ka fituar gjithçka në karrierën e tij, por Cristiano Ronaldo nuk pushon kurrë së emocionuari, duke qenë i uritur për trofe. Portugezi, menjëherë pasi fitoi trofeun e parë me Al Nassr, nuk e fshehu emocionin; shumë lot në stol, pastaj festimi me shokët e tij të ekipit për fitoren e titullit kampion. Në rrjetet sociale, shumë veta theksuan gjithashtu dedikimin për Georginën, e cila ishte e pranishme në tribuna, ashtu si edhe për fëmijët e tyre.
Komente







