Premier League e futbollit në Angli mbylli të hënën mbrëma raundin e 16-të. Në "Old Trafford" sfida mes Manchester United dhe Bournemouth u mbyll në një barazim spektakolar 4-4. "Djajtë" e Amorim duhet t'i falen gardianit Senne Lammens që në fundin e sfidës bëri një pritje fantastike, duke shmangur turpin në shtëpi.
United zhbllokoi ndeshjen pas 13 minutave lojë me golin e Amad Diallo, por miqtë barazuan me Semenyo. Megjithë golin e pësuar, Man. United shënoi me Casemiro për ta mbyllur pjesën e parë në avantazhin 2-1.
Nisja e fraksionit të dytë e pa Manchester United 'në gjumë' dhe Bournemouth përmbysi ndeshjen me Evanilson dhe Tavernier në minutat 46-të dhe 52. Mirëpo golat e pësuar "zgjuan" të kuqtë dhe Bruno Fernandes dhe Cunha rikthyen epërsinë për "Djajtë e Kuq".
Fundi ishte i hidhur për vendasit pasi Kroupi barazoi vetëm gjashtë minuta nga fundit. Ndeshja mund të rezultonte dramatike për të besuarit e Amorim, nëse portieri Senne Lammens nuk do bënte një pritje shpëtimtare në çaste e fundit.
Me barazimin 4-4 skuadrat ndajnë nga një pikë. United mban pozitën e gjashtë me 26 pikë të grumbulluara, ndërsa Bournemouth me 21 pikë gjendet në vendin e 13-të.
Komente





