Serie A e futbollit në Itali nisi të premte me raundin e 25-të. Në 'Arenën Garibaldi' vendasit e Pisas u mposhtën 1-2 nga Milani. Veterani Luka Modric ishte vendimtar për kuqezinjtë e Allegrit.
Ndeshja nisi më mirë për miqtë të cilët kontrolluan lojën. Duhej minuta e 39-të kur një asist i Athekame do shfrytëzohej mirë nga Loftus-Cheek, me anglezin që e dërgoi sferën në rrjetë.
Në nisje të pjesës së dytë,Christopher Nkunku i bëri vend Niclas Fullkrug, por sulmuesi gjerman i Milanit gaboi nga pika e bardhë e 11 metërshit në minutën e 56-të. Pisa përfitoi dhe barazoi me Felipe Loyola në minutën e 71, duke futur në panik miqtë.
Kur u duk se ndeshja po shkonte drejt barazimit, ishte veterani Luka Modric që përfitoi nga një pasim i Riccit dhe e ndali sferën në rrjetë (85') duke i dhënë fitoren 1-2 Milanit. Në fund Milani e mbylli ndeshjen me një lojtar më pak pas daljes me karton të kuq të Rabiot.
Me këtë sukses Milani mbetet në vendin e dytë me 53 pikë, pesë më pak se Interi kryesues. Zikaltërit presin sot në orën 20:45 Juventusin në 'Giuseppe Meazza' për Derbin e Italisë, një ndeshje që premton spektakël.
Serie A, raundi 25-të:
E premte, 13 shkurt 2026
Pisa 1-2 Milan
E shtunë, 14 shkurt 2026
15:00 Como - Fiorentina
18:00 Lazio - Atalanta
Luka Modric i dha fitoren 1-2 Milanit kundër Pisas, me golin e tij në minutën e 85-të të ndeshjes. Të premten kroati shënoi gol në moshën 40 vjeç e 157 ditë, duke u bërë golashënuesi i tretë më i vjetër në Serie A, pas dy ish-futbollistëve të Milanit, Alessandro Costacurta dhe Zlatan Ibrahimovic.
Pas ndeshjes Modric tha se nuk mund të gabonin në një ndeshje të tillë.
"Para së gjithash, nuk mund t’i lejonim vetes të gabonim. E dinim që këto pikë do të ishin vendimtare për luftën në krye të tabelës dhe i morëm. Në pjesën e dytë u relaksuam pak dhe nuk po iu kushtonim vëmendje detajeve. Kjo është arsyeja pse ata shënuan. Në fund sulmuam dhe shënuam golin e dytë, jemi të lumtur me fitoren", tha kroati.
Më pas Modric kishte edhe një falënderim për tifozët.
“Është një privilegj të dëgjoj brohoritje për mua nga tifozëria. Mundem vetëm t’i falënderoj. Duhet të mendojmë ndeshje pas ndeshjeje, të vazhdojmë të punojmë dhe të përmirësohemi”, vijoi Modric.
Sipas OPTA, Modric (40 vjeç e 157 ditë) është lojtari i tretë më i vjetër që shënon në Serie A, pas Alessandro Costacurta dhe Zlatan Ibrahimovic; të tre me fanellën e Milanit.
Edhe trajneri Max Allegri e vlerësoi kroatin: “Të gjithë duhet të mësojmë nga Modric, ai është një kampion tepër i përulur. Shkoi ta fitonte ndeshjen në fund dhe të merrte tri pikët për ne”.
Komente







