Futbollistët shqiptarë e kanë nisur në mënyrën më të mirë sezonin e ri në kampionatin rus, me Mirlind Dakun dhe Erald Maksutin që gjetën rrugën e rrjetës të dielën që në ndeshjet e para të skuadrave të tyre.

Sulmuesi i kombëtares shqiptare, Mirlind Daku, ishte protagonist me gol për Rubin Kazanin, por skuadra e tij humbi 1-3 kundër Krasnodarit. Daku mori topin jashtë zonës, depërtoi mes dy mbrojtësve dhe finalizoi saktë për t’i dhënë avantazhin 1-0 ekipit të tij që në minutën e 12-të.

Ky ishte një fillim ideal për 27-vjeçarin, i cili vjen pas një sezoni të suksesshëm ku realizoi 10 gola në kampionatin rus, duke konfirmuar edhe një herë rëndësinë e tij në repartin sulmues të Rubin Kazanit. Në këtë takim për Rubinin u aktivizuan nga minuta e parë edhe Nazmi Gripshi dhe Veldin Hoxha, ndërsa Dardan Shabanhaxhaj mungoi.

Ndërkohë, debutim ëndrrash përjetoi Erald Maksuti me fanellën e Akhmat Groznit. Ish-sulmuesi i Flamurtarit u hodh në fushë në minutën e 78-të dhe vetëm pesë minuta më vonë gjeti golin e parë me skuadrën e re, duke barazuar shifrat 1-1 ndaj Lokomotivës së Moskës.