Pas humbjes 1-2 në Champions League kundër Bayern Munich në mesjavë, Real Madridi ka bërë një tjetër hap fals në shtëpi. Të premte 'Galaktikët' barazuan 1-1 kundër Gironas në 'Bernabeu' për raundin e 31-të në La Liga dhe në këtë mënyrë duket se 'i dorëzojnë' Barcelonës titullin kampion të këtij sezoni, me katalanasit që janë gjashtë pikë para në krye të renditjes dhe me një ndeshje më pak, derbin kundër Espanyolit që luhet sot.
Pjesa e parë e takimit në 'Bernabeu' ishte me raste, por Mbappe me shokë nuk mundën ta dërgonin dot sferën në rrjetë, madje francezi u ndëshkua edhe me karton të verdhë. Kësisoj fraksioni i parë u mbyll me rrjeta të paprekura.
Pjesa e dytë nisi me vrullin e madrilenëve, teksa kapiteni Federico Valverde kaloi Real Madridin në epërsi me një 'predhë' nga jashtë zone, pas një asisti të Diaz. Kur u duke se loja do fliste për djemtë e Arbeloas, ishin katalanasit e vegjël që barazuan me Thomas Lemar në minutën e 62-të. Edhe ky gol erdhi nga një goditje e fortë në kufijtë e zonës. Pjesa e mbetur e ndeshjes nuk prodhoi gola dhe të dyja skuadrat ndanë nga një pikë.
Trajneri i madrilenëve, Alvaro Arbeloa u ankua për një penallti që sipas tij nuk u akordua në dëm të Mbappe, i goditur më bërryl nga mbrojtësi i Gironës, Vitor Reis.
Real Madridi me 70 pikë mban vendin e dytë, gjashtë pikë pas Barcelonës kryesuese që ka një ndeshje më pak, atë kundër Espanyolit që luhet sot në orën 18:30. Nga ana tjetër Girona me 38 pikë mban vendin e 12-të në renditje.

Mbappe i gjakosur dhe me vetullën e çarë
Alvaro Arbeloa nisi një sulm të furishëm ndaj gjyqtarëve pasi Real Madridit iu mohua ajo që ai e konsideron si një penallti të pastër në barazimin 1-1 me Gironën. Trajneri i madrilenëve foli gjithashtu për ndërhyrjet në lidhje me Kylian Mbappe dhe Vinicius Jr, ndërsa humbën më shumë pikë në garën për titullin kampion.
Ai u pa i nervozuar që nuk u dha penallti për Mbappe, i cili përfundoi i gjakosur pas goditjes me bërryl nga Vitor Reis. Sipas tij, ndeshja nuk u fitua për mungesë saktësie, por beson te përmbysja në Mynih.
"Arbitrimi dhe rasti i Mbappe? Për mua ndaj Mbappe ishte penallti këtu dhe në Hënë, madje mungon edhe një tjetër. Edhe një javë më shumë, kjo është ajo që kemi dhe kaq.
Pse nuk ndërhyri VAR? Askush nuk e kupton, ndërhyn kur i leverdis. Është një aksion shumë i qartë. Këtë javë, ashtu si në Mallorca, e njëjta histori.
Ekipi? Nuk ishte ndeshja më e mirë, por duhej të fitonim me rastet e krijuara dhe fare pak rreziqe që lejuam për kundërshtarin.
Përmbysja në Champions? Duhet të përmirësojmë disa gjëra dhe të shkojmë në Gjermani për të fituar. Dua që lojtarët e mi të besojnë te përmbysja ndaj Bayernit. Edhe për titullin në La Liga duhet të luftojmë deri në fund.
Humbjet? Për të fituar duhet të japësh 200%, ndryshe ndodhin të tilla aksidente. Carvajal? Konkurrenca është e mrekullueshme, përfshin cilindo te Real Madridi", tha trajneri.
Komente







