SPANJË - La Liga e futbollit në Spanjë nisi të premte me raundin e 27-të. Në stadiumin 'de Balaidos' vendasit e Celta Vigos u mposhtën vetëm në shtesë 1-2 nga Real Madridi. 'Galaktikët' rikthehen te fitorja pas dy humbjeve radhazi, ato kundër Osasunës dhe Getafes.
Fillimi i ndeshjes ishte i vrullshëm për dy skuadrat, teksa Aurelien Tchouameni kaloi Real Madridin në epërsi pas 11 minutave lojë. Vendasit e trajnerit Claudio Giraldez nuk u dorëzuan dhe barazuan në minutën e 25-të me Borja Iglesias.
Fraksioni i dytë i lojës ishte me shumë raste, por Celta Vigo u ndal nga shtylla në minutën e 87-të. Vetëm në shtesën e katërt të ndeshjes (90+4') Real Madridi do shënonte golin me vlerën e tri pikëve. Federico Valverde goditi nga hyrja e zonës dhe topi i devijuar nga mbrojtja e Vigos përfundoi në rrjetë.
Me këtë fitore Real Madridi ngjitet në kuotën e 63 pikëve për vendin e dytë në La Liga, një pikë pas Barcelonës kryesuese, por madrilenët kanë një ndeshje të luajtur më shumë. Celta me 40 pikë mban pozitën e gjashtë.
La Liga luan këtë të shtunë katër takime, teksa në orën 21:00 spikat Athletic Bilbao - Barcelona.
Komente







