RIAD, Arabia Saudite - Bologna është skuadra e dytë që merr biletën e mbetur të finales së Superkupës së Italisë. Skuadra e Vincenzo Italianos mposhti Interin në gjysmëfinalen e turneut pas penalltive duke shuar ëndrrën e Cristian Chivu që të merrte një trofe me zikaltërit pas disa muajsh në stol. Kësisoj, trofeu i Superkupës nuk do shkojë në Milano.
Në stadiumin "King Saud" Bologna dhe Interi e mbyllën 1-1 kohën e rregullt. Ishte fillimisht Marcus Thuram që kaloi Interin në avantazh pas vetëm disa sekondave lojë, por Bologna u përgjigj brenda pjesës së parë me penalltinë e kthyer në gol nga Orsolini.
Në fund të 90 minutave skuadrat iu drejtuan penalltive dhe Bologna ishte më e saktë duke fituar 3-2. Bastoni, Barella dhe Bonny gabuan për zikaltërit, ndërsa për Bolognan gabuan Moro dhe Miranda. Immobile me penalltinë e realizuar mbylli llogaritë dhe i dha fituesve në fuqi të Kupës së Italisë biletën për në finalen e Superkupës, atë kundër Napolit e cila luhet të hënën në orën 20:00 në Riad të Arabisë Saudite.
Komente







