SPANJË - Real Madridi siguroi një fitore të rëndësishme në javën e 23-të të La Ligas, duke mundur të dielën Valencian me rezultatin 0-2 në 'Mestalla' në një ndeshje ku golat u shënuan në pjesën e dytë.
Ndeshja nisi me dominim nga madrilenët, të cilët krijuan rastet e para serioze, përfshirë një tentativë nga Kylian Mbappe në minutën e 19-të, që u ndal nga portieri i Valencias, Stole Dimitrievski.
Pjesa e parë u mbyll pa gola, por Real Madridi ndryshoi ritmin pas pushimit. Në minutën e 65-të, Alvaro Carreras realizoi një gol të bukur pas një aksioni individual, duke dërguar topin pranë shtyllës së majtë dhe duke kaluar në avantazh miqtë.
Valencia u afrua pranë barazimit në minutën e 71-të, kur Lucas Beltran goditi shtyllën, duke humbur një mundësi të artë. Në minutat shtesë, Reali 'vulosi' fitoren me golin e Kylian Mbappe, i cili shënoi pas një asistimi nga Brahim Diaz, duke mbyllur takimin 0-2.
Me këtë fitore, Real Madridi mban vendin e dytë në klasifikim me 57 pikë, vetëm një më pak se Barcelona kryesuese, duke vijuar luftën e fortë për titullin kampion të La Ligas. Ndërkohë Valencia me 23 pikë mban vendin e 17-të dhe rrezikon zonën e ftohtë.
Komente








