Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja mori pjesë në inaugurimin e KubFranceShkodra në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”.
Përmes një postimi në rrjetet sociale Gonxhja shprehet se kjo hapësirë e re kulturore digjitale synon të lidhë artin, teknologjinë dhe edukimin në një format bashkëkohor dhe gjithëpërfshirës.
“Pjesë e rrjetit ndërkombëtar Micro-Folie/La Villette, qëllimi i kësaj hapësire është të ofrojë akses në trashëgiminë kulturore ndërkombëtare, të nxisë krijimtarinë dhe angazhimin e të rinjve dhe publikut të gjerë, si dhe të forcojë edukimin kulturor përmes mjeteve digjitale dhe përvojave inovative”, shkruan Gonxhja.
Ky projekt realizohet me mbështetjen e Ambasadës së Francës në Shqipëri dhe partnerëve institucionalë, duke shënuar një hap të rëndësishëm në bashkëpunimin kulturor franko-shqiptar.
Komente










